Matura, konkurset shtyjnë shpalljen e fituesve

19/08/2010 09:15

Nëse vitin e kaluar, listat paraprake të fituesve janë afishuar në muajin gusht, sivjet pritet që publikimi i tyre të bëhet në mes të shtatorit.

Shkak për këtë, sipas drejtorit të Agjencisë së Pranimit në Universitete, Arben Fagu, është java e parë e shtatorit, e cila përkon me dhënien e konkursit për ata nxënës që synojnë të studiojnë për Arkitekturë, Artet e Bukura apo për Sportet.

“Qëllimi i shtyrjes së afatit është fakti që ka nga ata nxënës që kanë përzgjedhur si preferencë të parë degën e Arkitekturës dhe presin t’i nënshtrohen konkursit të përgatitur nga vetë institucioni, i cili do të zhvillohet gjatë javës së parë të shtatorit. Por në rast se një maturant e humbet këtë test, ka shpresa te preferenca e dytë, e cila mund të jetë Gazetari apo Mjekësi”, tha Fagu.

Sipas tij, “duke u nisur nga kjo logjikë, ata menduan që të mos penalizojnë asnjë nxënës, përkundrazi zgjodhën që listat e fituesve të shpallen në shtator, në mënyrë që ajo pjesë e maturantëve që pret të marrë përgjigjet e konkursit, të ketë ende shpresa për të qenë fitues në një degë tjetër”.

Ai pohoi se kjo praktikë pune do t’i vendosë të gjithë nxënësit në kushte të barabarta dhe do t’i bëjë të besojnë se mund të kenë shanse të tjera, përveç degës së parë që kanë përzgjedhur në formularin e preferencave.

Top Channel