
Edhe pse pas dy muajsh pritet të nisë viti i ri akademik 2010-2011, studentët e Fakultetit Juridik dhe Shkencave Sociale do të përballen sërish me mungesën e auditorëve.
Fati i tyre është të enden nga njëri fakultet në tjetrin, vetëm e vetëm për të gjetur një sallë ku të mund të zhvillojnë orët e leksioneve apo seminareve.
Nga tetë fakultetet që ka Universiteti i Tiranës, godina e Fakultetit të Drejtësisë dhe ajo e Shkencave Sociale, tregon qartë se nuk mund t’i presë edhe për këtë vit studentët e saj.
Këto janë deklaratat e autoriteteve të Universitetit të Tiranës, të cilët thonë se shkak për këtë është bllokimi i punimeve në njërën prej godinave, si pasojë e konflikteve të pronësisë.
“Te të dyja godinat ka filluar rikonstruksioni. Problemi që ne hasim për të pasur këto dy godina në dispozicion në fillim të vitit akademik është te godina e ish-Kinoklubit, ku bizneset private, pa asnjë bazë ligjore, mbajnë peng ambiente ose nuk i vendosin në dispozicion për të vazhduar rikonstruksionin për këtë qëllim madhor”, u shpreh Ervin Demo, drejtor i Komunikimit në UT.
Sipas tij, nëse këto dy godina do të vazhdojnë të mos jenë gati, ka mundësi që të ndiqet e njëjta praktikë që ka funksionuar edhe vitin e kaluar.
Universiteti i Tiranës i bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të marrin masa dhe ta zgjidhin këtë problem brenda dhjetë ditesh.
“Nëse kjo situatë nuk zgjidhet, të paktën brenda një afati prej dhjetë ditësh, vihet në pikëpyetje se sa gati do të jetë godina në fillim të tetorit”, pohoi Demo.
Edhe këtë vit, Universiteti i Tiranës, listohet si më i preferuari, ndërkohë që kuotat e pranimeve janë më të larta. Burime zyrtare pranë këtij universiteti thonë se këtë vit, stafit pedagogjik për të përballuar fluksin e studentëve do t’i shtohen mbi 100 pedagogë të rinj.
Top Channel