Termocentrali i Vlorës ka pezulluar testimet për fillimin e prodhimit të energjisë, për shkak të dëmtimit në dy vende të tubacionit shkarkues në det.
Për këtë shkak, projekti 120 milionë eurosh nuk do të prodhojë energji, deri në zgjidhje të problemit që KESH ka me kompaninë italiane, ndërtuese e objektit dhe financuesit, Bankës Botërore.
Këta të fundit hezituan të ndërprisnin financimin, por u deshën provat me pamjet filmike të palombarëve që vërtetonin çarjen e tubit, që mundëson lëvizjen e ujit për ftohje.
Pas lajmit të publikuar pak ditë më parë në “Top Channel” për defektin, gazeta “Shqip” zbulon letrën që drejtori i përgjithshëm i KESH-it, i dërgon ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ku i vë në dijeni për situatën e krijuar.
I shqetësuar për dëmin e krijuar, drejtori i ri i KESH-it, Engjëll Zeqo, kërkon nga dy ministrat që të ndërpriten menjëherë testimet dhe të ndalet financimi për kompaninë italiane. Në letër thuhej se dëmtimi i tubit rrezikon ujërat e detit Jon, pasi në të shkarkohen mbetjet e TEC-it.
Top Channel