Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë.
Sipas ligjit kërkohet që personat të kenë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe jo më shumë se 35 vjet periudha sigurimi.
Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension, zbatohet neni 92, i ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Për të përfituar pension të pjesshëm të pleqërisë, përfituesi ose i autorizuari me prokurë, paraqitet në ALSSH të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendjen civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë.
Përfituesi, së bashku me kërkesën, duhet të paraqesë dokumentet e nevojshme për të vërtetuar identitetin, të dhëna të tjera personale, si dhe vjetërinë e punës.
Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë caktohet si pjesë e pensionit të plotë të pleqërisë dhe llogaritet duke shumëzuar shumën e pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur me kohën e periudhës së sigurimit, duke e vënë në raport me periudhën e sigurimit për 35 vjet.
Në qoftë se përfituesi ka një periudhë sigurimi prej 18 vjetësh dhe masa e pensionit të plotë të pleqërisë është caktuar 12 mijë lekë, masa e pensionit të përfituar do të jetë 12 mijë shumëzim 18 vjet, pjesëtim 35.
Top Channel