Vetëdorëzohet vrasësi i 35-vjecarit në Himarë

16/08/2010 09:10

Policia njoftoi se në mbrëmjen e së dielës është vetëdorëzuar personi që akuzohet se të enjten e kaluar ka shtypur për vdekje me makinë një shtetas 35 vjeçar nga Himara, pjestar i minoritetit grek.

Ilir Muka, 20 vjeç, është vetëdorëzuar në një nga rajonet e policisë në qytetin e Vlorës, bënë të ditur burime të saj nga ky qytet.

Ai është i akuzuari kryesor për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Himarës, ku në një aksident automobilistik të provokuar nga disa të rinj, mbeti i vdekur 35-vjeçari Aristotel Guma.

Disa banorë të këtij qyteti, që deklarohen se i përkasin minoritetit grek në Shqipëri, thonë se ngjarja ka ardhur pas një konflikti me baza etnike.

Ata bllokuan për orë të tëra rrugën Vlorë-Sarandë, në shenjë proteste, duke bërë që mjaftë udhëtarë ta kalojnë natën jashtë.

Top Channel