Shtetet më të fuqishme të BE-së, me në krye Britaninë e Madhe, dhe SHBA i kanë kërkuar që në fillim Beogradit që ta tërheqë projektrezolutën e vet për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe ndërkohë në tryezë në Nju Jork është parashtruar oferta që Beogradi të ndërmarrë nismën që ta zbatojë vetë Planin e Ahtisarit për veriun e Kosovës ose këtë gjë do ta bëjnë vetë këto shtete, gjë që do të ishte një opsion jo i mirë për Serbinë, thonë burime diplomatike perëndimore në Nju Jork, të cilëve u referohet ditët e fundit gazeta e përditshme serbe “Blic”.

Ndërkohë që ambasadorët e Pesëshes (SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia), të akredituar në vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, u transmetojnë autoriteteve të larta të këtyre vendeve që ta njohin Kosovën, sidomos pas vendimit të GJND-së së Hagës në favor të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së saj, diplomatët në misionin e Serbisë në OKB në Nju Jork bëjnë pikërisht të kundërtën e asaj që bëjnë përfaqësuesit e lartë të Pesëshes. Kështu, në luftën diplomatike që po zhvillohet aktualisht në tryezë, nga njëra anë, ndodhet karrigia e OKB-së për Kosovën, ndërsa, nga ana tjetër – e ardhmja europiane e Serbisë dhe fati i serbëve në Kosovë.

E vetmja kartë që Serbia ka në dorë në këtë moment, është ajo se shumica e vendeve ende nuk e ka njohur Kosovën, madje as pas vendimit të GJND-së që, në fakt, përbënte një lloj legalizimi të pavarësisë së Kosovës. Këtë gjë Serbia, megjithëse secili shtet që nuk e ka njohur Kosovën, ka arsyet e veta individuale, ia quan meritë vetes, sepse, sipas saj, kjo mosnjohje masive e Kosovës, menjëherë pas vendimit të GJND-së, është rezultat i veprimtarisë së saj diplomatike intensive, përfshi paraqitjen në OKB të projektrezolutës së saj për Kosovën.

Për këtë arsye, ajo (Serbia) po e vazhdon me të njëjtën kokëfortësi, si edhe më parë, politikën e vet lidhur me Kosovën, duke synuar, në radhë të parë, që të bëjë pazar, pra të fitojë sa më shumë që të jetë e mundur nëse puna shkon deri te tërheqja nga ana e saj e projektrezolutës së vet, për më tepër që BE dhe SHBA, tani për tani, nuk po ofrojnë asgjë konkrete si shkëmbim, thonë burimet diplomatike në Nju Jork që citon gazeta e lartpërmendur. Sipas tyre, e vetmja gjë që ofrojnë tani Pesëshja dhe SHBA, është që Beogradi ta zbatojë vetë Planin e Ahtisarit sa i përket veriut të Kosovës, por kreu i lartë politik i Serbisë e konsideron këtë ofertë si të papranueshme, sepse, sipas tij, kështu do të barazohej gjendja e serbëve në veri të Kosovës me atë të serbëve në Prizren dhe Gjakovë. Duke parë kokëfortësinë e Beogradit zyrtar lidhur me këtë çështje, të fuqishmit e kësaj bote me të drejtë shtrojnë pyetjen: Do ta bëni vetë, apo ta marrim ne situatën në dorë? Sidoqoftë, përgjigjet e marra deri tani nga Beogradi, kanë qenë negative dhe ato mund të përmblidhen në frazën: Nuk kemi as të drejtë morale dhe as të drejtë kushtetuese që ta bëjmë këtë; kur s’e kemi bërë deri tani, përse do të duhet ta ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj Planit të Ahtisarit. Duket qartë se Serbia ende, në mungesë të njohjeve, sikurse pritej, masive të Kosovës, shpreson se projektrezoluta serbe për Kosovën nuk është një “mision i pamundur”. Duket qartë se Beogradi është gati që ta pranojë realitetin, por jo me çmimin e humbjes së gjithçkaje!. M.Sinemati

Top Channel