Berisha propozon 4 ambasadorët e rinj

16/08/2010 08:00

Plotësimi i misioneve diplomatike me emra të rinj do të vijojë edhe në muajin shtator. Fillimi i sesionit të ri parlamentar do të presë në seanca dëgjimore të paktën dhe 4 kandidatura për ambasadorë, që pasojnë diplomatët e miratuar tanimë nga Kuvendi dhe që presin firmën e Presidentit.

Konkretisht, Ridi Kurtezi si kandidat për ambasador në Katar, Kujtim Morina në Kuvajt, Elida Petoshati në Kanada dhe Sami Shiba në Rumani, janë emrat e propozuar nga Ministria e Jashtme dhe që sipas burimeve pranë qeverisë kanë marrë firmën e Kryeministrit Sali Berisha.

Nga ana procedurale, kandidatët do të duhet të zhvillojnë një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme, ku do të jepet edhe një opinion i deputetëve për ta. Më tej është Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ai që do të ndërmarrë hapin final përmes dekretit të emërimit.

Ndërkohë, kuadri i personave të sipërpërmendur janë në një farë mënyre vala e dytë e emërimeve në sektorin diplomatik pas asaj të fillimit dhe mesit të këtij viti, i cili preku misione me rëndësi si përfaqësia jonë në Uashington, në OSBE, në Greqi apo edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Duhet thënë se lidhur me këto kandidatura ‘të para’ ka pasur një konsensus politik të plotë në Komisionin Parlamentar me Jashtë, konsensus që është thyer sadopak nga ndërrimi që Ministria e Jashtme bëri në përzgjedhjen e kandidatit për në Uashington. Kështu, i zgjedhuri paraprakisht për detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në SHBA, Spiro Koçi u ndryshua nga Ministria e Jashtme edhe pse në seancën dëgjimore në Parlament mori miratimin e plotë.

Në kuadër të këtyre lëvizjeve, Koçi u kalua për në përfaqësinë tonë në OSBE në Vjenë për t’i lënë vendin në Uashington, Gilbert Galanxhit. Në ndryshim nga ‘incidenti’ në fjalë, duket se situata për sa u përket kandidatëve që presin të prezantohen pranë Kuvendit të Shqipërisë është më pak e ndërlikuar. Rëndësia e tyre qëndron ndoshta në aspektin politik, po të mbahet parasysh fakti se nismat e fundit të diplomacisë shqiptare synojnë një hapje të paparagjykuar në të gjitha rajonet me rëndësi. Për më shumë që si Katari ashtu edhe Kuvajti janë investitorë jo pa rëndësi në Shqipëria, apo të paktën shihen me këtë perspektivë nga Tirana zyrtare. Një vizitë e para 2009 e Berishës në Katar e konfirmon këtë gjë, në të cilën ai parashtroi kërkesa financimi për projekte ambicioze. Për këto dy vende duhet thënë edhe se ato për herë të parë mbulohen me ambasador rezident, pasi deri më tani detyrën në fjalë e ka kryer përfaqësuesi shqiptar në Riad të Arabisë Saudite. Kështu, drejt Lindjes së Mesme, përfaqësimi diplomatik shqiptar po plotësohet dora-dorës duke i dhënë një kuptim edhe më të madh strategjisë së afishuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme e cila e ka vendosur si një nga prioritetet e veta vendosjen e komunikimit të nivelit të lartë me këtë rajon. Turi i fundit i ministrit të Jashtëm, Ilir Meta konfirmon ndër të tjera edhe një optikë të re që kushtëzohet edhe nga zhvillimet ndërkombëtare rreth çështjes së Kosovës për njohjen e pavarësisë së të cilës Tirana zyrtare mban shpresa të mëdha te komuniteti i vendeve myslimane. E njëjta gjë u vu re edhe në takimet e Taxhikistanit, por edhe në Siri e Liban, njohjet e të cilave influencojnë në unifikimin e botës myslimane drejt Kosovës me perspektivë arritjen e një kuorumi prej 2/3 për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe anëtarësimin në të.

Top Channel