BSH: Kreditë e këqija pengesë për ekonominë

15/08/2010 15:15

Një vrojtim i fundit i Bankës së Shqipërisë vëren se rritja e kredive të këqija po bëhet një nga pengesat kryesore për kreditimin e ekonomisë.

Banka Qëndrore vëren se, si pasojë e rritjes së kredive me probleme dhe ecurisë së ngadaltë të ekonomisë, bankat private po vazhdojnë të shtrëngojnë politikat e kreditimit për biznesin dhe individët duke rritur normat e interesit dhe kërkesat për garanci pasurore.

Ato që po penalizohen më shumë janë bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat e kanë tashmë shumë më të vështirë për të siguruar një kredi. Vrojtimi tregon se bankat gjykojnë si kredinë më me rrezik, atë që shkon për investime.

Të dhënat e detajuara, të nxjerra nga pyetësorët e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit nga 10 banka të marra në vrojtim, 3 prej tyre i kanë shtrënguar edhe më kreditë për investime, 7 i kanë mbajtur të pandryshuara dhe vetëm njëra i ka lehtësuar disi.

Shqipëria është përballur dy vitet e fundit, me një rritje të fortë të kredive të këqija, si pasojë e shumë faktorëve që kanë të bëjnë me efektet e krizës ekonomike, e cila ka goditur të ardhurat e bizneseve dhe individëve, rënien e ritmeve të kreditimit dhe në disa raste edhe politikat jo të kujdesshme të ndjekura nga bankat vitet e kaluara.

Tashmë që kreditë e këqija kanë arritur në 12 për qind të totalit, ose mbi 500 milionë dollarë, bankat kanë filluar të shtrëngojnë kushtet për dhënien e kredive, çka po pengon kreditimin e ekonomisë dhe investimet e reja në ekonomi.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA