Fundjavë e zjarrtë, e diela dita më e nxehtë

14/08/2010 08:30

Dy ditët që lamë pas kanë qenë të nxehta, temperaturat kanë arritur pranë 40 gradë Celsius, por ditë edhe më të nxehta na presin.

Fundjava, sipas parashikimit të sinoptikanëve, do të jetë e zjarrtë, rrymat afrikane që aktualisht po qarkullojnë në rajonin tonë do të kenë ndikimin e tyre, duke rritur temperaturat edhe më tej. Sipas meteorologëve, rrymat afrikane dhe i nxehti do të ndihet më shumë në zonat e ulëta, si Tiranë, Elbasan, Fier Berat.

Nxehtësia deri në 40 gradë do të na shoqërojë të paktën deri ditën e mërkurë, e më pas temperaturat do të vijnë drejt uljes me 6 gradë Celsius. Dita e diel do të jetë më e nxehta, me diell të fortë dhe temperatura shumë të larta. Këshilla më e mirë do të ishte që të pushoni pranë bregdetit, por për ata që do të qëndrojnë në shtëpi, më mirë të rrinë freskët e t’i shtyjnë punët e porositë deri ditën e enjte.

Sakaq, edhe dita e sotme parashikohet të jetë e nxehtë dhe termometri do të shënojë temperatura fare pranë 40 gradë Celsius.

Top Channel