Dita Ndërkombëtare e Rinisë

13/08/2010 09:35

“Dialog, pjesëmarrje, zhvillim” ishte tema e konferencës së zhvilluar nga MTKRS në ditën ndërkombëtare të rinisë.

Pikërisht në ditën kushtuar të rinjve, kjo ministri paraqiti programin për ngritjen brenda një afati të shkurtër të Agjencisë Kombëtare të Rinisë, për zhvillimin e rinisë shqiptare.

Sipas Ministrit Xhaferaj, i pranishëm në konferencë, në funksion të Agjencisë do të ngrihen Qendra Informuese Rinore në qytete të ndryshme.

Ato do të shërbejnë për dhënien e informacioneve mbi pjesëmarrjen e të rinjve vendas në programe europiane.

Për të përkrahur në mënyrë institucionale të rinjtë, u firmos një marrëveshje  e përbashkët mes MTKRS, asaj të Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale dhe asaj të Shëndetësisë ku secila prej tyre ka marrë një sërë angazhimesh në fushat përkatëse në mbështetje të të rinjve.

Mes të tjerash: përkrahje të legjislacionit që favorizon punësimin e të rinjve, studime dhe mbledhje të dhënash të fenomeneve që ndikojnë në shëndetin e tyre.

“Të rinjtë kanë qenë dhe mbeten në fokusin e qeverisë shqiptare. Duke u fokusuar në plotësimin e shumë kushteve që ndikojnë në konsolidimin e rinisë”, është shprehur Xhaferaj.

Për të festuar ditën ndërkombëtare të rinisë janë zhvilluar edhe një sërë aktivitetesh kulturore e sportive në Kodrat e Liqenit në Tiranë.

Top Channel