Zgjedhjet lokale, rotacion në Parlament

12/08/2010 09:00

Zgjedhjet lokale pritet që të risjellin në qarkullim listën e deputetëve të Parlamentit shqiptar.

Një kandidim i mundshëm i disa deputetëve të strukturave të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të muajit maj të vitit 2011, do të shkaktojë spostimin e listës së deputetëve.

Kështu, sipas emrave që kanë qarkulluar në qarqet e selisë blu, Kosta Barka dhe Aurel Bylykbashi, kanë shansin e ‘artë’ në dorë për t’u rikthyer në sallën e Kuvendit.

Këtë herë, Kosta Barka, nuk do të rikthehet si ministër, por si deputet, ndërsa Aurel Bylykbashi pritet të rifutet si deputet i Partisë Demokratike në Kuvend.

Prej më se një viti, deputeti i dytë në listën e demokratëve për Qarkun e Vlorës, Ardian Kollozi, është duke punuar intensivisht në qytetin bregdetar për të kandiduar në zgjedhjet lokale si kandidat për kryetar bashkie.

Sipas Kodit Zgjedhor, një deputet privohet nga e drejta për të pasur një funksion tjetër të lartë paralelisht me detyrën që ushtron.

Kosta Barka është kandidati i pestë në Qarkun e Vlorës për Partinë Demokratike dhe automatikisht merr të drejtën për të përfaqësuar demokratët në Parlamentin shqiptar në rast se Ardian Kollozi kandidon për postin e kryebashkiakut në Vlorë.

Ish-ministrit Barka i është ofruar nga Kryeministri Berisha një post diplomatik me kushtin e vetëm për ta pozicionuar atë në vendin e pestë të kandidatëve për deputet në Qarkun e Vlorës.

Duke ditur influencën që Partia Demokratike ka në qytetin bregdetar, sigurimi i pesë kandidatëve për deputet nga PD-ja për Vlorën e ka detyruar Kryeministrin të ofrojë pozicione të reja për ish-ministrin Barka.

Vonesa e Barkës për t’u emëruar si ambasador në një vend të Bashkimit Europian është rastësi me faktin e pritjes deri në zgjedhjet lokale për ta risjellë atë në sallën e Kuvendit si deputet.

Rihyrja e Barkës në Kuvend do të shtojë numrin e përfaqësuesve të minoritetit grek në Parlamentin shqiptar.

Pas kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deputetit socialist, Vangjel Tavo dhe deputetit demokrat, njëkohësisht ministrit Spiro Ksera, Kosta Barka do të jetë njeriu i katërt që përfaqëson minoritetin grek në Parlament.

Një tjetër opsion më i përfolur deri tani në qarqet demokrate për Bashkinë e Tiranës është ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Deri tani asgjë nuk është e përcaktuar në mënyrë zyrtare nga Partia Demokratike, por një kandidim i tij për Bashkinë e Tiranës do t’i japë të drejtë Aurel Bylykbashit të hyjë në Parlament si deputet.

Bylykbashi është kandidati i tetë në listën e Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit dhe si rrjedhojë një kandidim i mundshëm i Lulzim Bashës për zgjedhjet lokale do të japë automatikisht në bazë të Kodit Zgjedhor Bylykbashit statusin e deputetit.

Top Channel