Pensionet, emigrantët duhet të plotësojnë vitet

11/08/2010 10:25

Ardhja e emigrantëve në muajt e verës ka shtuar edhe fluksin e punës për punonjësit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe stafin e shpërndarë në të gjithë vendin.

Konkretisht, sipas ISSH-së, të rikthyerit në atdhe kërkojnë sqarime dhe janë të interesuar për mënyrat që ofrohen për të përfituar një pension në Shqipëri, në bazë të punës, kategorisë dhe vjetërisë në punë.

Shumica e tyre duhet të plotësojnë vitet vakante, pas largimit të tyre në emigrim.

Kjo mund të realizohet nëpërmjet sigurimit vullnetar, për periudhat e mbetura bosh deri në përmbushje të vjetërisë së kërkuar dhe kontributeve shoqërore.

Por sigurimin vullnetar mund ta aplikojnë edhe të rinjtë, ata të cilët duan të përfitojnë një pension minimal në Shqipëri.

Nga sigurimi vullnetar mund të përftojnë ata që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.

Kjo metodë është e vlefshme për ata që në një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm, si dhe për të gjithë ata që janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre.

Sipas ISSH-së, masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës për efekt kontributesh të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa.

Pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820 lekë x 21.6%.

Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa.

Personi i interesuar paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë pagesa të detyrueshme, për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, ku përfshihen edhe të vetëpunësuarit.

Duke paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju jeni i siguruar për të përfituar nga ligji i sigurimeve shoqërore dhe nga ligji i sigurimeve shëndetësore.

Top Channel