Privatizimi trojeve turistike

05/08/2010 15:50

Nis proçesi i privatizimit për trojet e fshatrave turistikë. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale ka informuar se prej 10 gushtit personat e interesuar mund të aplikojnë për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësive të ndërtuara në zonat me përparësi turistike.

“ALUIZNI njofton personat e interesuar, se prej datës 10 gusht 2010 nis proçedura e plotësimit të kërkesës për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësive të ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin në përputhje me ligjin 10186 datë 5/11/2009. Kërkesat paraqiten pranë drejtorisë qëndrore të ALUIZNI-t brenda 60 ditëve nga nisja e proçedurës”, është shprehur koordinatorja ligjore pranë ALUIZNI-t, Jeta Velaj.

Ajo ka bërë të ditur kategoritë e personave që do të përfitojnë nga privatizimi i truallit.

“Kanë të drejtë të paraqesin kërkesë suvbjektet e interesuar, personat fizikë apo juridikë të cilët gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejpërdrejt osë të rrjedhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar të ngritur brenda zonës së stimuluar. Personat e stimuluar, personat fizikë apo juridikë që kanë lidhur marrëveshje qeraje me qeradhënësin apo autoritetin shtetëror”, theksoi Velaj.

Ligji për trojet e fshatrave turistikë është kundërshtuar fort nga opozita, e cila akuzoi qeverinë se përmes këtij drafti po grabit tokat në bregdet.

Sipas kontrollit të lartë të shtetit janë rreth 23.5 hektarë toka në bregdet në të cilën janë ngritur fshatra tursitikë nga kompani private të liçensuara nga qeveritë shqiptare të asaj kohe.

Ligji sanksiononte se vilat e ndërtuara në këto fshatra nuk mund të shiteshin, por do të përdoreshin vetëm për qëllime turistike.

Por kjo pikë e ligjit është shkelur, pasi shumë nga vilat janë shitur sakaq dhe opozita thotë se blerësit e tyre janë kryesisht ministrat dhe funksionarët e lartë të shtetit.

ALUIZNI përmes këtij drafti, u jep të drejtën atyre që i kanë blerë vilat që të privatizojnë edhe truallin mbi të cilin ato janë ndërtuar, me një çmim të fiksuar.

Top Channel