Pitella: Transparencë e plotë

05/08/2010 15:35

Në një takim me intelektualë të qytetit të Vlorës, zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Gianni Pitella e ka vënë theksin tek proçesi i liberalizimit të vizave si një moment kyç që do t’i jepte një zhvillim të mëtejshëm Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Duke vlerësuar rolin e opozitës në këtë proçes zoti Pitella tha se nëse nuk do të ketë surpriza negative të momentit të fundit, ai do të mbyllet në harkun kohor të pak muajve.

Por zyrtari i lartë i Bashkimit Europian duke ju referuar krizës politike më shumë se 1 vjeçare gjatë fjalës së tij nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë qëndrimin e së cilës nuk e quajti aspak bashkëpunes në drejtim të zgjidhjes së krizës.

“E kam thënë qartë përballë të gjithë ndërmjetësve politikë që kam takuar gjatë vizitës time zyrtare disa muaj më parë dhe inkurajova të gjitha palët të gjejnë një marrëveshje në bazë të qartësisë dhe të vërtetës. Dhe gjeta në Partinë Socialiste të Shqipërisë gatishmëri të plotë për të bërë pjesën e tyre, por ku qëndrimi nuk ishte i njëjtë nga palët e tjera. Në mënyrë të veçantë në një pikë atë të sigurimit të proçedurave elektorale që sollën rezultatin e zgjedhjeve të fundit”, është shprehur Pitella.

Në përfundim të fjalës zoti Pitella dha një mesazh të qartë edhe në petkun e pozicionit të tij si zëvendëspresident i Parlamentit Europian.

“I drejtohem të gjithëve edhe në rolin tim institucional si zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian. Të gjendet zgjidhja që të lejojë të bëhet qartësimi i asaj që ka ndodhur. Për të krijuar sigurinë se zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen në transparencë të plotë dhe me garancinë për të gjithë se do të fitojë vërtet kush merr më shumë vota, të fitojë vertetë kush paraqet kandidatët dhe programin më të mirë”, theksoi ai.

Top Channel