Fier, dhjetëra të infektuar nga uji

03/08/2010 08:40

Frekuentimi i vijës bregdetare të Fierit ka bërë që në dhjetëra pushues të shfaqen infeksionet e lëkurës. Këto të fundit kryesisht kanë prekur pushuesit e plazhit të Semanit dhe të Darëzezës.

Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga mjekët e poliklinikës qendrore Fier, ku tre javët e fundit një numër i madh pacientësh janë paraqitur me infeksion në lëkurë.

Mjekët që po trajtojnë pushuesit e prekur nga infeksionet në lëkurë thonë se situata është më e përmirësuar se ajo e një viti më parë, por sërish shihet prania në përmasa alarmante e infeksioneve si shkak I ndotjes së ujit dhe rërës së detit.

“Pushimet e verës kanë sjellë edhe probleme të shumta me infeksionet e lëkurës. Infeksioni tek dhjetëra pushues lidhet me ekzistencën e hidrokarbureve kryesisht gjatë bregdetit të Fierit. Ndotja si në ujë edhe në brezin e rërës është disa vjeçare. Përveç hidrokarbureve edhe mbetjet urbane kanë shkaktuar ndotje të bregdetit të Fierit”, shpjegojnë për gazetën “Shqip” mjekët infeksionit.

Sipas tyre në vijën bregdetare të Fierit gjen edhe mbetjet ushqimore të viteve të shkuara, që janë harruar të hiqen si nga pushuesit edhe nga autoritetet vendore që kanë nën administrim plazhet.

Top Channel