Vlorë, tre fshatra thahen për ujë

31/07/2010 08:45

Dhjetëra banorë të fshatit Babic kanë protestuar sot paradite në qendër të tij për mungesën e ujit të pijshëm në banesat e tyre.

Banorë të moshave të ndryshme, me bidonë në duar kanë protestuar për rreth 30 minuta, duke bllokuar dhe rrugën automobilistike që lidh fshatrat e lumit të Vlorës me qytetin e Vlorës.

Me anën e protestës, e cila nuk është e para për mungesa të ujit të pijshëm, banorët u kanë kërkuar autoriteteve shtetërore marrjen e masave për furnizimin me ujë të pijshëm të tre fshatrave: Xhyerin, Babic dhe Alikok.

Sipas banorëve, uji i pijshëm mungon në banesat e tyre prej 4 muajsh. “Kemi kryer disa protesta, jemi ankuar dhe kemi kërkuar në disa institucione shtetërore për mungesë të ujit të pijshëm dhe marrjen e masave për furnizimin me uji të tre fshatrave, por deri më sot vetëm premtime kemi marrë. Konkretisht nuk është bërë asgjë. 12 mijë banorë rrinë pa ujë që prej 4 muajsh në këto ditë të nxehta”, sqaruan banorët protestues.

Prej kohësh, banorët nevojat për ujë të pijshëm i zgjidhin duke e blerë te persona që çojnë ujë në këto fshatra me mjete transporti, me bote.

Banorët shpenzojnë 3 mijë lekë deri në 5 mijë lekë të vjetra në ditë për të përballuar nevojat për ujë, ndërsa për nevoja të tjera mbushin ujë në lumë, 20 minuta larg.

Top Channel