Aksident në Tepelenë, 2 të vdekur, 6 të plagosur

29/07/2010 19:20

8 persona janë përfshirë në një aksident pasi drejtuesi i automjetit tip Benz Mercedes me të cilin po udhëtonin ka humbur kontrollin duke e drejtuar automjetin në humnerë 150 m të thellë.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:30 në aksin rrugor rural midis Tepelnës dhe komunës Lopës, në afërsi të fshatit Dhëmblan. Mjeti, sipas burimeve zyrtare, është batuar disa herë para se të dilte nga rruga. Për pasojë kanë humbur jetën dy persona drejtuesi i mjetit Zigur Tafilaj dhe një grua me inicialet SH.D, ndërsa 6 persona të tjerë mes të cilëve 3 fëmijë janë pagosur dhe transportuar në spitalin e Gjirokastrës.

Pas ekzaminimeve paraprake në këtë këtë spital aktualisht rezulton që katër pacientë të jenë jashtë rrezikut për jetën ndërsa janë transportuar me helikopter drejt spitalit të Tiranës dy pacientë në gjendje më të rëndë dhe me fraktura serioze në kokë, përkatësisht fëmija 1 vjec e gjysmë Yllka Tafilaj dhe 30 vjecarja Meri Lilaj. Aksidenti u vu re nga banorë të zonës të cilët kanë ndihmuar në transportin e të plagosurve, ndërsa sipas tyre aksidenti mund të kishte qenë edhe më fatal nëse automjeti nuk do të pengohej gjatë rënies prej bimësisë së shpatit.

Burime nga Drejtoria e Policisë në Gjirokastër bëjnë të ditur se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me patente dhe në momentin e aksidentit kishte shpejtësi të kufizuar. Autoritetet përjashtuan gjithashtu mundësinë e përgjumjes së tij gjatë drejtimit të automjetit ndërsa mendohet se ngjarja mund të ketë ndodhur si pasojë e një ataku të papritur kardiak.

Top Channel