Mbi 100 mjekë përfitojnë kreditet e kualifikimit

27/07/2010 09:00

Të interesuar për të përfituar pikët e akreditimit, në radhët e mjekëve kanë qenë mbi 100 profesionistë të shëndetësisë.

Sipas Qendrës së Edukimit në vazhdimësi, procedurës së kualifikimit në vazhdimësi duhet t’i nënshtrohet i gjithë personeli që mban bluzë të bardhë.

Deri më 31 dhjetor të 2014-s, të gjithë mjekët, stomatologët e farmacistët, të sektorit publik dhe atij privat, duhet të mbledhin rreth 150 kredite.

Procesi i edukimit në vazhdim, që ka nisur më 1 janar të 2010-s, parashikon përfshirjen e personelit shëndetësor në konferenca, trajnime, seminare, të cilat do të vlerësohen me kredite për çdo pjesëmarrës.

Në rast se këto kredite nuk realizohen brenda një periudhe 5-vjeçare, atëherë mjekët, stomatologët apo farmacistët do t’i nënshtrohen një provimi.

Sipas të dhënave, procesit duhet t’i nënshtrohen rreth 6559 profesionistë, që janë mjekë, stomatologë dhe farmacistë. Deri në fund të muajit qershor, janë paraqitur rreth 105 aktivistë për akreditim.

“Vendosja e detyrimit për të mbledhur 150 kredite ka pasur si synim të motivojë profesionistët e shëndetësisë për të përmirësuar performancën e tyre, për të rritur njohuritë dhe aftësitë e tyre. Nëse një profesionist nuk i mbledh 150 kredite deri në fund të vitit 2014, atëherë ato do i nënshtrohen një provimi që do të organizohet nga urdhri i mjekut, për mjekët apo urdhri i farmacistit për farmacistët, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë”, sqaroi Entela Shehu, drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Edukimin në vazhdim.

Top Channel