Ambasadori Uahid Uahidulah punon për OKB-në që prej vitit 1994. Ai cilësohet si arkitekti i mekanizmave zbatues të proçesit të paqes në Kosovë.

Në Shqipëri ka qenë ambasador i zyrës ndërlidhëse të OKB-së dhe ka themeluar Akademinë Diplomatike shqipare, si edhe shoqatën shqiptare të Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2006 është dekoruar nga Presidenti Moisiu me Medaljen për Merita të Veçanta Civile.

Aktualisht është anëtar i Akademisë për dialog nëpërmjet Kulturave dhe Civilizimeve me qendër në Varshavë dhe i akademisë së tregjeve emergjente me bazë në Nju Jork.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, e ka ngazëllyer. Ai na tregon arsyet se pse.

“Nuk ka ndjesi më të mirë për një ekspert, për një specialist, kur ai sheh të realizohen tërë puna e tij, parashikimet, analizat, diskutimet dhe zgjidhjet që ai ka dhënë. Sa i takon këtij vendimi, mendoj se është një moment i madh për Kosovën dhe për serbët, për të reflektuar mbi këtë vendim. Tani ata duhet të përqëndrohen për ta shpenzuar kohën më shumë rreth çështjes së destinacionit dhe integrimit euroatlantik të këtyre vendeve dhe kombeve të mëdha”, deklaron ambasadori Uahidula.

TCH – Ju flisni për integrimin euroatlantik, por 5 vende të BE-së  nuk e njohin Kosovën. A e dëmton kjo integrimin e Kosoves? Psh a ju duket realiste përqasja e Greqisë që nga njëra anë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nga ana tjetër propozon integrimin e Ballkanit në BE në 2014?
 

Nuk është realiste aspak. Ju keni të drejtë. Nuk është realiste që nga njëra anë të angazhosh procesin e integrimit europian dhe nga ana tjetër kur vendet që dëshërojnë ta shohin perspektivën e tyre në këtë drejtim, të bllokohen nga disa të tjerë. Por unë mendoj se tani pas tërë përpjekjeve të qeverisë serbe dhe aleatëve të tyre, që dështuan, nuk ka arsye për ta që të besojnë se kjo lloj kundërshtie do të cojë gjëkundi“, shprehet ambasadori Uahedulah.

TCH – A mund të bëhet Kosova anëtare e OKB-së?

Unë mendoj po. Sepse siç e dini, si me vendimin e Gjykatës si pa vendimin e saj, Kosova është një cështje që është mbështetur gjithmonë nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit. Çështja është se tani 69 vende anëtare të OKB-së e kanë njohur ndërkaq pavarësinë e Kosovës dhe sapo ky numër të shkojë në rreth 120, ne do të shohim flamurin e Kosovës të valëvitet në selinë e OKB-së. Dhe Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plota e Kombeve të Bashkuara“, thotë ish-shefi i zyrës rajonale të OKB-së në Mitrovicë.

TCH – Po a nuk e pengon Kina dhe Rusia?

Siç e dini Kina dhe Rusia, së bashku janë aleatet e Serbisë. Ata bënë më të mirën e tyre të bllokojnë këtë gjë. Realisht, ishin ata qe ia referuan këtë çështje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dhe une mendoj se tani duhet t’ia vënë veshin pikërisht gjykatës ku u dërgua kjo mosmarrëveshje, gjykatë e cila vendosi që kjo që bënë shqiptarët, që bënë kosovarët. është një gjë e ligjshme, e mirë dhe e duhur. Çështja është se organizata jonë, OKB-ja gjithnjë funksionon mbi parimin e konsensusit. Kur une them që 120 shtete janë numri që kemi nevojë, në këto lloj situatash, pavarësisht mosmarrëveshjeve personale ose të së kaluarës, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit zakonisht i bashkohen këtij konsensusi, pasi nuk mund të veprojnë kundër shumicës absolute të vendeve anëtare të OKB-së dhe botës“, shprehet zoti Uhidulah.

TCH – Si njohës i mirë edhe i realitetit në veri në Kosovës, ambasadori Uahidula shpjegon këndvështrimin e serbëve për Mitrovicën. Por shton se Kombet e Bashkuara janë të prerë sa i takon integritetit territorial të Kosovës.

Unë isha shefi rajonal i zyrës së OKB-së në Mitrovicë, që ishte një nga vendet më problematike në vitin 1999, kur shkëlqesia e tij Bernard Kushner, ministri aktual francez i Punëve të jashtme ishte asokohe administrator i Kosovës. Serbët gjithnjë e dinin që nuk mund të jetonin me shqiptarët dhe që shqiptarët nuk dëshironin të jetonin me ta, për shkak të gjithë atyre vështirësive, mizorive, gjakderdhjeve dhe problemeve për të cilat ne të gjithë jemi në dijeni. Por ata gjithmonë përdorën Kosovën dhe çeshtjen e Kosovës si një mjet negocimi nëqoftëse do të bënim kompromis mbi çështjen e integritetit të Kosovës dhe t’u jepnim atyre Mitrovicën e Veriut, përtej lumit Ibër. Ne e kemi bërë shumë të qartë që prej vitit 1999 e deri tani, që sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të kompromentoheshin kurrë, as në shkëmbim me ndonjë marrëveshje. Pra ky është problemi, Mitrovica e Veriut është një nga zonat më të pasura me resurse e Kosovës,  ajo është “ajka” e Kosovës, mbi të cilën Kosova do të varej shumë ekonomikisht. Nëqoftëse do të kishim negociuar mbi këtë çështje, ata, pra serbët, do të kishin hequr dorë kohë më përpara dhe Kosova do kishte qënë tashmë një shtet i pavarur, me flamurin e saj, duke u valëvitur mbi ndërtesën e selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork”, përfundoi fjalën e tij për TCH ambasadori Uahedulah.

Top Channel