Alarmi i aksidenteve

25/07/2010 16:30

Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të aksidenteve për nga numri i banorëve dhe i automjeve. Shifrat e larta, të aksidenteve me vdekje kanë detyruar ekspertët të bëjnë një skaner të shkaqeve që kanë sjellë këtë bilanc.

“Për çdo 2-3 aksidente ne kemi një të vdekur. Vitin që shkoi Shqipëria pati rreth 1465 aksidente ku humbën jetën 378 qytetarë dhe u plagosën rreth 600 të tjerë”, deklaron për Top Channel, Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Sigurisë Rrugore, Demir Osmani.

Ekspertët kanë sqaruar se mungesa e edukatës rrugore, por edhe ndërtimi i rrugëve të reja pa kushte sigurie, pa sinjalistikë dhe shpesh edhe në kundërshtim me kodin rrugor, siç janë tre kryqëzimet në nivel përgjatë rrugës Lushnjë-Fier janë shkaqe thelbësore që rrisin numrin e aksidenteve.

“Në segmentin rrugor Lushnjë-Fier 3 kryqëzime janë tërësisht në kundërshtim me ligjin. Në kundërshtim me Kodin Rrugor ku në një rrugë të kategorisë së parë siç është ajo rrugë nuk lejohen në asnjë mënyrë kryqëzimet. Kryeqëzimet duhet të ishin zgjidhur ose me rrethrrotullime, ose me mbikalime apo nënkalime”, tha Bert Koxhaj nga Qendra e Studimeve të Sigurisë Rrugore.

Ekspertët kanë evidentuar se punimet në shumë rrugë nuk përfundojnë brenda afateve të reklamuara dhe akset rrugore lihen pas dore.

“Kanë filluar dhe nuk kanë mbaruar punimet në disa akse rrugore që të çojnë në destinacione turistike, si Levan-Vlorë apo Levan-Tepelenë. E keqja është se akset pas përfundimit lihen pas dore”, vijon Koxhaj.

“Realisht rrugët tona janë jashtë kushteve teknike. Korsia e rrugës nuk mund të jetë asnjëherë më e ngushtë se 2.5 metra dhe deri në 3.5 metra, duhet të jetë e vijëzuar me vija të bardha, diku të pandërprera ku nuk lejohet parakalimi. Rrugët duhet të jenë të pajisura me sinjalistikën e nevojshme”, deklaron Demir Osmani.

Por edhe rruga e Kombit nga Rrësheni në Kukës nuk është ndërtuar brenda standarteve të një autostrade, e cila duhet të jetë e rrethuar nga të dyja anët për të lejuar lëvizjen e automjeteve me një shpejtësi 110 kilometra

“Kemi rrugën nga Rrësheni deri në Kukës që ne themi se është autostradë. por nga standartet e sigurisë kjo rrugë ende nuk është bërë autostradë”, shton më tej zoti Osmani.

Të dy ekpertët kanë evidentuar se policia rrugore vepron me dy standarte përsa i përket zbatimit të ligjit. Drafti i ri, ku është saktësuar se gjobat do të katërfishohen sipas Bert Koxhaj mund të sjellë një rritje të abuzimeve nga policia rrugore.

Studimet kanë treguar se aksidentet kanë një kosto tejet të lartë për shtetin, por edhe për individin ndaj kërkohen më tepër përgjegjshmëri nga të gjitha hallkat e shoqërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA