FMN: Ulni borxhin publik

12/07/2010 20:00

Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gervin Bell, në një intervistë ekskluzive për Top Channel, ka kërkuar masa për uljen e borxhit publik për të shmangur rreziqet në ekonomi.

“Cdokush bie dakord mbi faktin që niveli i borxhit është i lartë dhe duhet të ulet. Kjo është dhe detyra që ministria ka ndërmarrë me rishikimin e buxhetit. Problemi me borxhin është se ka një histori të gjatë dhe nuk mund ta sjellësh nga 59 për qind në 50 për qind brenda një dite. Është e rëndësishme të përcaktohet një rrugë e qartë se si do të ulet borxhi. Ju e dini që bota ende nuk e ka kaluar plotesisht krizën, ka pasiguri në sistemin bankar të Europës, qeveri në vështirësi për të përballuar borxhin, etj. Pra, ka një sërë rreziqesh dhe kjo është nje sfidë edhe për ekonominë shqiptare”, ka deklaruar Bell.

Zoti Bell mbështet shkurtimet e buxhetit që ka ndërmarrë qeveria, por thotë se ato mund të kishin qenë edhe më të mëdha.

“Ky është një hap në drejtimin e duhur, që ne e mbështesim plotësisht. Tani a janë të mjaftueshme këto shkurtime? Kjo varet nga shumë gjëra, por kryesisht nga ecuria e ekonomisë. Sinqerisht, po të më pyesnin mua, unë do ta shkurtoja edhe më shumë. Megjithatë, është e rëndësishme që edhe pas këtyre shkurtimeve buxheti të mbahet nën kujdes dhe nëse ka rreziqe të tjera të ndërhyet sërish”, ka pohuar Bell.

Bell ka folur edhe për gjëndjen aktuale të ekonomisë shqiptare, duke dhënë dhe parashikimet më të fundit të FMN-së.

“Deri tani ecuria e ekonomisë ka qenë e mirë. Në fakt, ne jemi të suprizuar nga rezistenca që ka patur ndaj krizës. Ka një ecuri më të mirë të eksporteve dhe nga ana tjetër shitjet me pakicë dhe konsumi po mbahen mjaft mirë. Në fillim të vititi ne parashikonim një rritje prej rreth dy për qind për 2010-ën. Tani vlerësimet tona janë për një rritje më pranë tre për qind. Dhe kjo nuk është një ecuri e keqe nëse sheh zhvillimet jashtë dhe ecurinë e vendeve të tjera fqinje”, ka shtuar Bell.

Top Channel