Vrasja e 17-vjeçarit për adresat e “Facebook”

08/07/2010 09:35

Adresat e rrjetit social “Facebook” dyshohet se kanë qenë “molla e sherrit” që çoi në vdekjen e 17-vjeçarit nga Patosi, mbrëmjen e së martës.

Pa kaluar as 12 orë nga ngjarja, policia ka identifikuar dhe vënë në pranga katër adoleshentë, që dyshohet se janë autorët e plagosjes për vdekje të të riut.

Sipas burimeve të policisë mësohet se janë zbardhur detaje të ngjarjes. 17-vjeçari Daniel Rrapushi është qëlluar me thikë në zemër nga Mateo Pasha.

Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Marjus Muskaj, ka plagosur me thikë shokun e viktimës, Rauf Bregun, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e bluzave të bardha.

Arrestimet

Mbrëmjen e së martës dhe orëve të para të së mërkurës, policia është vënë në kërkim të autorëve të ngjarjes. Arrestimi i autorëve është finalizuar mesditën e së mërkurës me prangosjen e autorit të katërt, ndërsa tre autorët e tjerë u arrestuan rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm.

Duke qenë se ngjarja ndodhi në një vend publik, identifikimi ka qenë fare i lehtë për policinë. Ajo nisi kontrollet në të gjithë lokalet dhe dyqanet e qendrës, e më pas në banesat e katër autorëve.

Policia ndërkohë rrethoi qytezën dhe ngriti postblloqe në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse jo vetëm të Patosit, por edhe në rrugë të tjera dytësore që të nxjerrin në akset kombëtare me drejtim Ballshin, Beratin si dhe Fierin.

Në orën 05:00 të mëngjesit të së mërkurës, forcat e policisë pas hetimit special, duke vënë në përgjim telefonat e autorëve, kanë mundur të arrestojnë fillimisht 17-vjeçarin Marjus Muskaj.

Marrja në pyetje e tij bëri arrestimin e dy bashkëpunëtorëve të tjerë, Skedion Pashës si dhe Sonjiel Nakos, përkatësisht 17 dhe 16 vjeç.

Rreth gjashtë orë më pas, mesditën e së mërkurës, policia ka arrestuar edhe autorin e katërt Mateo Pashën, 17 vjeç.

Dy nga autorët, Mateo dhe Skedion Pasha janë kushërinj të parë dhe mësohet se familja e tyre ka një hasmëri të vjetër të trashëguar nga viti 1997, ku xhaxhai i tyre Gjon Pasha, është masakruar në qendër të qytetit.

Arrestimi i katër autorëve është bërë tek të afërmit e tyre, ku ata ishin fshehur në tentativë për t’u larguar ditë më vonë drejt Greqisë. Akuzat e ngritura për ta janë “vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim” si dhe “plagosje e rëndë e kryer në bashkëpunim”.

Të katër autorët kanë pranuar përfshirjen në sherr me viktimën dhe shokun e tij që është plagosur.

Daniel Rrapushi, 17 vjeç, i cili sapo kishte përfunduar vitin e tretë të gjimnazit të qytetit, është përcjellë për në banesën e fundit në orën 15:00 të së mërkurës.

Dhjetëra të rinj, banorë të qytetit, familjarë, të afërt dhe të njohur të familjes së tij i kanë dhënë lamtumirën e fundit, ndërkohë që kanë dënuar aktin e rëndë që i mori jetën adoleshentit.

Ndërkaq për të parandaluar ndonjë përplasje të mundshme, policia ka vënë shërbim në katër banesat e autorëve, ndërsa po mbahen nën vëzhgim edhe kushërinjtë e viktimës, si dhe ata të të plagosurit që ndodhet në spital.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA