Studimet në Itali, dokumentet dhe afatet për vizë

08/07/2010 09:05

Të gjithë maturantët që do të ndjekin studimet në universitetet në Itali, duhet të plotësojnë kërkesat e vendosura nga sektorët e arsimit, pranë ambasadës italiane.

Dje, në një njoftim zyrtar, ambasada ka sqaruar në detaje procedurat që duhet të ndjekin të gjithë të interesuarit për fazat pasardhëse.

Kështu, sipas udhëzimit të konsullatës italiane në Tiranë, duke nisur nga data 12 korrik 2010 deri në datën e pakthyeshme të 30 korrikut 2010 studentët që kanë paraqitur kërkesën për regjistrim pranë ambasadës italiane në Tiranë mund t’i drejtohen agjencisë më të afërt të “Albanian Courier – Union Net”, e cila do të realizojë dërgimin në ambasadën italiane në Tiranë të dokumentacionit shkollor, për lëshimin e vizës për studim dhe pasaportën.

Verifikimi

Në vijim të verifikimit për plotësimin e kritereve të parashikuara nga normativa dhe të konfirmimit nga ana e universiteteve italiane, ambasada italiane do të lëshojë vizat hyrëse për studim. Në bazë të normativës në fuqi, vizat do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri më 31 janar 2011. Pasaporta do t’u kthehet të interesuarve me anë të korrierit postar “Albanian Courier”, bashkë me dokumentacionin që studentët duhet të paraqesin në origjinal pranë universitetit në Itali, titujt e studimit të legalizuar, diplomën CELI 3.

Për ridorëzimin e dokumenteve, studentët duhet t’i paguajnë korrierit një tarifë prej 198 lekësh, përfshirë TVSH, nëse banojnë në Tiranë, 300 lekë, nëse banojnë në qytete të tjera.

Procesi i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumenteve të legalizuar do të kryhet nga data 18 deri më 21 gusht 2010. Nuk është e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në ambasadë.

Për të ditur zyrën e korrierit “Albanian Courier – Union Net” më të afërt me vendbanimin tuaj, mund të kontaktoni në numrat e telefonit 04 2357976 dhe 04 2357977 ose me e-mail [email protected].

Kujtesa

“Ju kujtojmë se të gjithë modulet e nevojshme shpërndahen falas pranë ambasadës italiane, pranë zyrave të ‘Albanian Courier – Union Net’ dhe mund të shkarkohen nga faqja e internetit www.ambtirana.esteri.it”, sqaron zyrtarisht ambasada italiane.

Sipas njoftimit institucional, ekspertët e arsimit kanë theksuar se studentët duhet të paraqesin në të njëjtin zarf edhe titujt përfundimtarë të studimit, diplomë mature dhe certifikatën e maturës shtetërore apo diplomën universitare me listën e notave dhe programin. Titujt e studimit duhet të jenë të përkthyer në italisht, të vërtetuara nga noteri dhe të legalizuara pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. Sakaq studentët nën 18 vjeç, përveç dokumentacionit të kërkuar, bashkë me kërkesën për vizë duhet të bashkëngjisin edhe një certifikatë familjare, të përkthyer dhe të legalizuar. Po ashtu kërkohet si pjesë e procedurës, deklarata noteriale për verifikimin e aprovimit të prindërve mbi qëndrimin në Itali, për studim të fëmijës. Kjo deklaratë duhet të jetë e përkthyer dhe legalizuar.

Lista e dokumenteve që duhen për lëshimin e vizës për studim:

1)    Formulari për kërkesë vize, i plotësuar dhe i firmosur, ngjitur në të një fotografi për dokumentet. Lutemi të shënoni një numër telefoni (fiks, celular) dhe adresë e-mail-i

2)    Deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë

3)    Pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar, kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale, kopje të faqeve me viza të tjera “Schengen”

4)    Dokumentacion vendbanimi në Itali (në dy kopje): nëse do të qëndroni pranë personave privatë: deklaratë strehimi për 365 ditë, fotokopje të dokumentit të identitetit të firmosur të ftuesit (p.sh. nëse është shtetas i huaj: lejen e qëndrimit ‘soxhornon’ ose faturat për rinovim ‘riçevutat’; nëse është shtetas italian, pasaportën ose kartën e identitetit)

5)    Siguracionin për udhëtim, i vlefshëm nga data 24.08.2010 deri më 31.01.2011, i plotësuar me kompjuter (në dy kopje):

6)    Faturë bankare: deklaratë origjinale nga një bankë italiane në Shqipëri që vërteton derdhjen e pakthyeshme në favor të vetë personit për një vlerë prej 4.500 euro. Banka duhet të deklarojë transferimin e kësaj depozite në filialet e saj në Itali. Pakthyeshmëria e derdhjes mund të anulohet vetëm në rast se:
a) Ambasada italiane deklaron refuzimin e vizës
b) Tërhiqet kërkesa për vizë nga ana e klientit, e vërtetuar kjo nga ambasada.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA