Rishikimi i buxhetit, peng i negociatave me FMN-në

08/07/2010 08:30

As në mbledhjen e radhës, zhvilluar dje, qeveria nuk mori vendim për rishikimin e buxhetit, sikurse e kishte planifikuar. Burime nga Ministria e Financave sqarojnë se mbledhjet brenda institucionit janë të shpeshta, por pa rezultat, ku njëri skenar rrëzon tjetrin.

Megjithatë, shkaku kryesor që po vonon vënien në zbatim të planit të ri të shpenzimeve për pjesën e mbetur të vitit 2010 mësohet të jetë ekipi negociator i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Edhe pse qeveria e ka të qartë planin e shkurtimit të shpenzimeve dhe kuadrin e ri makrofiskal, për shkak të raporteve dhe marrëveshjes, nuk do ta miratojë paketën e ndryshimeve pa njohur më parë Fondin Monetar, sikurse kanë vepruar disa vende të rajonit.

“Shqip” publikoi javën e kaluar lajmin për vizitën e FMN-së, duke paralajmëruar diskutime të forta rreth disa çështjeve që shqetësojnë institucionin monetar, për të cilat qeveria ka treguar vullnet për t’i zbatuar, por jo në nivelin e duhur.

Burime zyrtare konfirmojnë vizitën e shefit të misionit të FMN-së, Gerwin Bell, i cili duhet të kishte mbërritur më 7 korrik në Tiranë. Në axhendën e tij janë parashikuar zhvillimi i disa takimeve, ku më të rëndësime janë ato me kreun e Financave dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.

Plani paraprak është për reduktimin e buxhetit me rreth 40 miliardë lekë, ku 10 miliardë janë masë shtesë që ndikon në zvogëlimin e deficitit buxhetor me 0.5 për qind.

Sa i takon nivelit të ri të pagave, me premtimin se do të rriten deri me 6-7 për qind, vendimi nuk është marrë ende, edhe pse jemi në javën e dytë të muajit korrik.

Lidhur me vonesën, Ministria e Financave sqaron se nuk ka asnjë problem që lidhet me shpenzimet apo me shtyrjen e miratimit të buxhetit të ri, pasi fondi është i planifikuar te kontigjencat (rezervat) dhe se ajo çfarë po ndodh aktualisht lidhet vetëm me aspektin teknik, asgjë më shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA