Mbillte hashash, pranga kryeplakut

08/07/2010 09:25

Vihet në pranga për kultivim hashashi kryeplaku i fshatit Hondisht në Komunën e Trebinjës. Kryeplaku i fshatit, Avni Pançi, kishte përdorur një parcelë në pronësi të tij për të kultivuar bimë narkotike.

Ka qenë një operacion policor që ka çuar në pranga 52-vjeçarin, si dhe dy persona të tjerë nga i njëjti fshat, të cilët kishin mbjellë në total 100 rrënjë kanabis sativa.

Policia bëri të ditur se emrat e dy të ndaluarve të tjerë janë Erjon Hyka, 24 vjeç, si dhe 52-vjeçari Mevlan Xhika, i cili për shkak të invaliditetit do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Të tre këta banorë të fshatit Hondisht në Rrethin e Pogradecit janë arrestuar pasi kanë kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis sativa, e cila është zbuluar dhe asgjësuar nga policia para se të hynte në fazën e pjekjes së plotë.

Sipas të dhënave të policisë, kryeplakut të fshatit Hondisht i janë zbuluar nga një kontroll i ushtruar në banesën e tij 25 rrënjë bimësh të ngjashme me ato të kanabis sativa.

Tashmë mbi Avni Pançin rëndojnë dy akuza: “kultivim i bimëve narkotike” dhe “shpërdorim i detyrës”.

Aksioni antidrogë i policisë në këtë fshat të Rrethit të Pogradecit ka vazhduar edhe me asgjësimin e 42 rrënjëve kanabis sativa në afërsi të banesës së 24-vjeçarit Erjon Hyka, i cili u arrestua në flagrancë.

Ndërkohë, policia ka asgjësuar edhe 28 rrënjë bimësh kanabis sativa në banesën e 52-vjeçarit Mevlan Xhika, ndaj të cilit është vendosur ndjekja penale në gjendje të lirë, për shkak se është invalid i grupit të parë.

Ky është aksioni i parë antidrogë që policia ushtron në Rrethin e Pogradecit, ku vetëm në një fshat janë zbuluar rreth 100 rrënjë bimësh narkotike, duke çuar dhe në prangosjen e tre autorëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA