“Burg pa afat” ka vendosur Gjykata e Korçës për 43-vjeçarin Artur Kovaçi, i akuzuar për përdhunimin e një të moshuare 89-vjeçare.
Artur Kovaçi ka dalë dje paradite përpara trupit gjykues për vlerësimin e masës së sigurisë, ku është përballur jo vetëm me akuzën, por edhe me një akt ekspertize që ka konkluduar se ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me 89-vjeçaren me iniciale E.GJ.
Pas arrestimit në flagrancë, 43-vjeçari Artur Kovaçi po hetohet për akuzën e “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Nga ana e prokurorisë së rrethit, në këtë seancë gjyqësore u paraqit si provë e fortë për akuzën e ngritur ndaj Kovaçit një akt ekspertize, në bazë të të cilit rezulton se 89-vjeçarja është përdhunuar dhe i janë shkaktuar dëmtime fizike.
Akti i ekspertizës, që është sjellë nga prokurori i çështjes, Edmond Shytko, ka vërtetuar se autori Artur Kovaçi ka arritur ta përdhunojë të moshuarën, e cila s’ka pasur mundësi të mbrohet për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.
Ngjarja ka ndodhur pesë ditë më parë, kur Kovaçi u vu në pranga pasi fqinjët e së moshuarës njoftuan policinë lokale, se nga shtëpia e 89-vjeçares janë dëgjuar britma dhe thirrje për ndihmë.
Ai kishte hyrë i dehur në banesën e 89-vjeçares, të cilën e ka dhunuar seksualisht.
Kovaçi ka ngritur pretendimin se ka qenë në gjendje të dehur dhe nuk ka pasur si qëllim përdhunimin e saj, por së fqinjës së saj 40-vjeçare.
Artur Kovaçi kishte punuar për shtimin e pllakave në banesën e fqinjës së të moshuarës dhe mbrëmjen e së premtes së kaluar, në gjendje të dehur, kishte shkuar natën të kryente marrëdhënie seksuale me gruan e re.
Por duke qenë i dehur, ka ngatërruar katin duke hyrë në apartamentin e 89-vjeçares, e cila jetonte e vetme dhe për shkak të sëmundjes së sklerozës, kishte harruar derën hapur.
Ai ka hyrë në errësirë në banesën e 89-vjeçares E.GJ të cilën e ka keqtrajtuar dhe përdhunuar.
Për shkak të veprës së rëndë penale që ka kryer dhe akuzës që rëndon ndaj tij, togat e zeza kanë vendosur masën e arrestit me burg pa afat deri në përfundim të hetimeve.
Top Channel