Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave (AKKP) njoftoi dje zyrtarisht nisjen e procesit për ndarjen e fondit të krijuar nga procesi i legalizimeve për ish-pronarët.
Drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, Elvis Çefa, para se të komunikonte njoftimin, përmendi aspektin ligjor që prek procesi, duke iu referuar vendimit të qeverisë, me nr.383, i marrë më 19 maj 2010, “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”.
I pyetur nga gazetarët, shefi i AKKP-së vuri në dukje se janë rreth 2 mijë ish-pronarë tokash që përfitojnë si pasojë e ligjit.
“Ky është vetëm kësti i parë i kompensimit, pasi do të ketë vazhdimësi të kompensimit, në varësi të fondit që do të vihet në dispozicion nga ALUZINI. Këtë radhë numri i pasurive që do të kompensohen është 345, ndërsa numri i individëve përfitues është mbi 2 mijë”, tha Çefa.
Procesi
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njoftoi fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për shpërndarjen e këstit të parë të kompensimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale.
“Me këtë rast, AKKP fton të gjithë subjektet e interesuar, emrat e të cilëve janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim”, deklaroi Çefa.
Sipas tij, procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë ditën e hënë, në datën 12.07.2010 dhe do të zgjasë 30 ditë kalendarike.
Të gjithë subjektet e interesuar do të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë: rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr.54, Tiranë.
“Të dhënat e subjekteve përfitues janë të evidentuara në listat që i bashkëlidhen këtij njoftimi sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale të miratuara deri më tani”, vijoi më tej kreu i agjencisë.
Kriteret
Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 mijë lekësh pranë zyrës së financës së AKKP-së, si dhe të hapin në emër të tyre një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë.
Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin që përmban kërkesën tip që i bashkëlidhet VKM-së së mësipërme, të plotësuar sipas rubrikave.
Tjetër kriter ka të bëjë me dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së tyre, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.
Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi (në rast se subjekti përfitues nuk jeton).
Të tjera kritere janë: prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre; vërtetimi i lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare; dokument identifikimi si dhe certifikatë familjare të kërkuesit/aplikuesit; si dhe mandat-pagesën për shumën 2 mijë lekë.
Top Channel