Pranga ish-kryetarit të Bashkisë së Divjakës për “falsifikim dokumentesh zyrtare”. Ai ishte shpallur në kërkim pesë ditë më parë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Vlorës, e cila e dënoi me 8 muaj heqje lirie.
Avni Koçi, 54 vjeç, ka drejtuar Bashkinë e Divjakës gjatë periudhës 2000-2003 dhe është arrestuar mesditën e djeshme nga autoriteti i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë.
Burimet zyrtare të organit të akuzës lushnjare pohojnë për “Shqip” se Avni Koçi është shpallur në kërkim në datën 2 korrik.
Me vendimin e Gjykatës së Apelit ai është shpallur në kërkim disa ditë më parë.
Ai është ndaluar rreth orës 13:00 të së mërkurës, ndërsa merrte pjesë në një mbledhje të sektorit të bujqësisë në Komunën Kolonjë të Rrethit Lushnjë.
Nga shkalla e parë e gjykimit në Lushnjë, Avni Koçi është dënuar me dy vjet burg, masë dënimi kjo e ndryshuar nga shkalla e dytë, Apeli i Vlorës, që e ka ulur dënimin në tetë muaj burg.
Ndërkohë, sekretarja e tij, Rudina Rrudha, është lënë e lirë me detyrim paraqitjeje.
Abuzimet
Avni Koçi, ish-kreu i Bashkisë së Divjakës, gjatë periudhës 2000–2003 ka kryer një sërë falsifikimesh në dokumentacione pronësie, të cilat janë kapur dhe vërtetuar prej organit të akuzës së Lushnjës.
Burimet zyrtare të prokurorisë bëjnë të ditur se Koçi, në bashkëpunim edhe me vartësen e tij, Rudina Rrudha, kanë kryer më shumë se një herë falsifikime dokumentacionesh pronësie, duke tjetërsuar pronat.
Ka qenë pikërisht iniciativa e të dëmtuarve ajo që ka çuar nën hetim ish-kryetarin e Bashkisë Divjakë, i cili tashmë do të vuajë dënimin në burg.
Nuk bëhen publike detajet e hetimit, por dihet vetëm se nga këto falsifikime janë tjetërsuar sipërfaqe të mëdha toke dhe pronash, të cilat u janë “zhvatur” padrejtësisht pronarëve të ligjshëm.
Dy personat që janë përfshirë në konflikt dhe që kanë paditur ish-kryetarin e bashkisë janë Maks Zhuka dhe Vangjel Tashi.
Ata i kanë vënë në dispozicion organit të akuzës dokumente dhe prova të pakundërshtueshme, që çuan në shpalljen fajtor të ish-zyrtarit.
Kanë qenë plot 6 vjet hetimi ato që kanë çuar në burg ditën e mërkurë Avni Koçin.
Këto hetime nxorën si bashkëpunëtore në të gjitha veprimet e jashtëligjshme të falsifikimit të dokumenteve të pronësisë edhe vartësen e tij, Rudina Rrudha.
Top Channel