Anketa, 70% e të pyeturve nuk dinë masën e kontributit

08/07/2010 08:55

Një anketë e kryer nga Qendra Kombëtare Burimore e Trajtimit dhe Asistencës Teknike, me mbështetjen e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, nxjerr në pah mungesën e informacionit që kanë individët rreth sistemit të pensione.

Studimi mbi të dhënat e anketës u shtri në 12 rajone të vendit, ku u përfshinë në pyetësor 2730 persona.

Të pyetur rreth kritereve për përfitimet dhe kontributet, rreth 70 për qind nuk kishin dijeni për masën e kontributit për pensionin.

“Rreth 56 për qind nuk kishin dijeni mbi përqindjen e pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe 38 për qind thanë se kishin njohuri, por vetëm 54 për qind prej tyre ishin korrektë në përgjigje”, thanë drejtuesit e anketës.

Të anketuarit u pyetën edhe për shërbimet që ofron ISSH, ku 61 për qind shprehën qëndrime pozitive, kurse gjysma deklaruan se institucioni cilësohet transparent si për përfitimet, ashtu dhe për kontributet.

“Në përgjithësi u vërejt një nivel i pamjaftueshëm njohurish për sistemin e sigurimeve shoqërore”, ishte konkluzioni i anketës, prezantuar dje në konferencën e zhvilluar nga ISSH, me tema që lidheshin rreth rolit të institucionit, problemet, reformat dhe njohuritë mbi sistemin.

Specialistët e ISSH-së theksuan disa herë që sistemi i pensioneve nuk do të pësojë kolaps për aq kohë sa financohet nga shteti, por problemi qëndron te kontribuuesit, që nuk janë në raport të duhur me përfituesit (1.4-1).

Skema e pensioneve do të vazhdojë të marrë para nga buxheti për sa kohë qeveritë do të rrisin pensionet më shumë se sa të ardhurat që mblidhen nga kontributet.

“Në bazë të ligjit, ne kemi për detyrë të mbulojmë vetëm inflacionin përmes kontributeve. Nëse qeveria vendos t’i rrisë më shumë, atëherë fondet do vijnë nga buxheti”, thotë Evelina Koldashi, drejtore e ISSH-së.

Të ardhurat nga kontributet janë rritur vit për vit, por pagesat për pensionet po rriten edhe më shumë.

Vitin e kaluar, qeveria pagoi 55 milionë dollarë nga buxheti për të mbuluar vetëm deficitin primar të skemës, pa llogaritur pagesat për kategoritë e privilegjuara.

ISSH ka edhe një shqetësim tjetër. “Janë dy elementë që po gërryejnë të ardhurat. E para emigrimi, e dyta ekonomia informale”, shton Koldashi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA