Miratohet fondi i ekselencës për mbështetjen financiare të studentëve e shkencëtarëve të rinj.
Ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” parashikon krijimin e një fondi të veçantë të financuar nga shteti, në masën deri në 100 milionë lekë në vit, si dhe donacione për mbështetje ekonomike të studentëve të shkëlqyer.
Kjo shumë do të shërbejë për ofrimin e bursave të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës jashtë shtetit, ose për ata që ndjekin studimet “Bachelor” ose “Master” në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës.
Përveç këtyre ofertave financiare, shteti shqiptar do të japë çmime e shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare.
Por, nga ana tjetër do të vlerësojë edhe botimet shkencore, me nivel të lartë shkencor dhe të njohura botërisht.
E megjithatë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka vendosur që përfitimi i këtyre lehtësirave të bazohet në disa kritere specifike.
Në kuadër të kësaj, të drejtën për t’u mbështetur financiarisht do ta gëzojnë disa kategori të caktuara studentësh.
Ata që do të përfitojnë janë studentët që ndjekin studimet e doktoratës jashtë shtetit, ata që kanë arritur notën mesatare mbi 9, ata që janë pranuar në një universitet të huaj për studimet e doktoratës, si dhe studentët që kanë përgatitur një projekt për kërkime shkencore.
Përzgjedhja e kandidatëve për bursa do të bëhet para fillimit të çdo viti akademik, nga komisione përzgjedhëse, të ngritura me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj.
Këto komisione përbëhen nga profesorë të universiteteve, në varësi të fushës, si dhe një përfaqësues nga Ministria e Arsimit. Në rastet kur fondi i veçantë do të plotësohet edhe nga donacione, në komision do të marrë pjesë edhe një përfaqësues i donatorëve.
Pas kësaj, pretendohet që përzgjedhja përfundimtare e kandidatëve që do të përfitojnë bursa do të realizohet sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të Tafajt.
Lista përfundimtare e studentëve të përzgjedhur dhe masa e bursës për secilin prej tyre do të miratohet nga ministri i Arsimit dhe Shkencës vetëm pasi kandidati të ketë nënshkruar deklaratën, e miratuar nga kreu i institucionit, për punësim në Shqipëri.
Lista finale do të botohet në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Top Channel