Universitetet, analizohet modeli kilian i Pinoçetit

07/07/2010 08:15

Grupi i ekspertëve që po punon prej më shumë se një jave për publikimin e fashikullit me modelet e financimit të universiteteve, reforma që është zhvilluar në 7 vende, ka mbyllur ekspertizën për modelin kilian.

Reforma e financimit të universiteteve sipas modelit kilian, pak kohë më parë u referua se do të merrej për bazë edhe për Shqipërinë.

Grupi i ekspertëve, që për pak kohë do të mbyllë analizën e 7 reformave të aplikuara në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kili, Lituani, Poloni, Gjermani, Francë ka zbatuar një skemë dhe një strukturë, sipas së cilës do të jepet historiku i reformës, implementim i saj, frytet, si edhe efektivitetin.

Sipas ekspertizës së grupit të punës, historiku ishte ky: në vitet 1980, qeveria ushtarake për herë të parë i ndau universitetet në shtetërorë dhe privatë, duke kufizuar shumë fushat e studimit në universitetet shtetërore, duke i lënë kështu sektorit privat mundësinë të ofronte kurse trajnimi në fushat e tjera.

Qeveria e Pinoçetit gjithashtu nxiti krijimin e universiteteve private dhe instituteve profesionale, duke i lejuar ato të ofronin kurse në cilindo nivel të dëshironin, si dhe shkoi më tej duke ofruar ndihmë (grante) për studentë, si dhe kredi për studentët me të ardhura të ulëta. Institutet arsimore pretendonin të nxisnin konkurrencës mes universiteteve dhe instituteve për studentët më të mirë, duke financuar studentët, bazuar kjo në aftësinë e institutit arsimor për të tërhequr studentët më të mirë.

Si rezultat i kësaj politike, ishte prishja e sistemit shtetëror të arsimit të lartë dhe krijimi i universiteteve private ku në 1989-n numri i universiteteve private shkoi në dyzet. Atë vit vetëm gjysma e tyre mori financim nga shteti. Nga ana tjetër, në po atë vit ishin 52 qendra profesionale, prej të cilave vetëm dy morën financim nga shteti atë vit. Kishte gjithashtu edhe një rritje të qendrave për trajnime teknike në 150, ku asnjë prej tyre nuk mori ndihmë nga shteti.

Sistemi kilian i arsimit të lartë synon regjistrimin në universitete të studentëve që vinë nga shtresat në nevojë.
Skema e financimit për studentët u vendos nga regjimi ushtarak, duke favorizuar sistemin privat dhe ngritjen pa kriter të instituteve të arsimit të lartë. Reforma u shoqërua me rënie të cilësisë së arsimit të lartë në përgjithësi. Reforma dështoi kur vendi pësoi krizë ekonomike.

Pagat e stafit akademik ranë ndjeshëm. Stafi i kualifikuar u largua nga institutet e arsimit të lartë, duke shkuar drejt instituteve kërkimore apo dhe në sektorë të tjerë. Qeveria kiliane e njeh dështimin e sistemit arsimor dhe po e reformon atë duke dhënë bursa për studentët në nevojë dhe duke u fokusuar më shumë në rritjen e cilësisë së arsimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB