Tekstilet, viti i zymtë

07/07/2010 20:25

Biznesi fasonist në vend vazhdon të gjëndet në vështirësi financiare. Përfaqësues të këtij sektori shprehen se viti 2010 është një vazhdim i problemeve të lëna që nga një vit më parë.

“Vetëm 20% e bizneseve mund të jenë që këtë vit kanë pasur rritje të fitimeve apo nuk kanë hequr punëtore nga puna”, ka deklaruar Flamur Hoxha, kryetar i Dhomës kombëtare të prodhuesve të veshjeve.

Sipas një studimi të Qendrës shqiptare të kërkimeve mbi tregtinë ndërkombëtare, ACIT, shitjet e kompanive të veshjeve dhe këpucëve për 3 muajt e parë të këtij viti kanë rënë me 58,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Shumica e kompanive thonë se kanë pasur përkeqësim të raportit financiar. Janë shumë të pakta ato që raportojnë të kundërtën”, ka shtuar Hoxha.

Të dhënat e pyetësorit të fundit tregojnë se 71 për qind e të punësurave në sektorin e fasonit, të pyeturit nga ACIT mendojnë se niveli i jetesës së familjeve të tyre ka rënë.

29 për qind për shkak të rënies së të ardhurave, 82 për qind për shkak të rritjes së cmimeve, 82.7 përqind për shkak të rritjes së cmimit të energjisë elektrike, ujit dhe mallrave të konsumit dhe 67 për qind nga rritja e cmimeve të shërbimeve shëndetësore.

Top Channel