Shiroka, ndër më të preferuarat për këtë sezon veror

05/07/2010 08:20

Në periferinë perëndimore të qytetit më të madh verior, Shkodrës, ndodhet lagjja turistike e Shirokës, e cila jeton buzë liqenit më të madh në Ballkan, në kufi me Malin e Zi.

Uji i pastër i liqenit, ajri i freskët e me vlera kurative, gatimet tradicionale dhe çmimet tepër të favorshme, kanë bërë që Shiroka të kthehet në një prej zonat turistike më të frekuentuara. Për të shkuar në Shirokë padyshim që duhet kalosh në fillim mbi urën e lumit Drin.

Këto ditë të nxehta vere, duket se lumi fle, kur e krahason me “tërbimin” e tre muaj më parë. Pasi pret pak minuta radhën për të kaluar tek ura e Bunës që është një urë njëkalimëshe, siç të orientojnë dhe tabelat, duhet të marrësh djathtas për të shkuar në Shirokë. Rrugës ndeshesh me dhjetëra makina me targa të Tiranës dhe Durrësit që i janë drejtuar Shirokës për fundjavë. Ndërsa ura e re mbi Bunë pavarësisht se duket se i është afruar fundit, ende duket se ka shumë punë për t’u bërë funksionale. Gjatë udhëtimit të shkurtër gjatë gjithë kohës të shoqërojnë era e freskët e liqenit dhe era e pishave të  malit të Taraboshit. Pas 2 km rrugë që nga ura e Bunës, mes ujit dhe malit, futesh në lagjen më të veçantë të Shkodrës, që njihet me emrin Shirokë.

 
Në këtë fillimsezoni turistik, Shiroka i pret turistët vendas dhe të huaj, me rrugë të sistemuara, furnizim me ujë dhe drita 24 orë, ambiente dhe hotele nga më modernët. Veç hoteleve, mund të akomodohesh fare mirë edhe në shtëpinë e banorëve që gjatë periudhës së verës i lëshojnë shtëpitë e tyre me qira për pushues duke u bërë konkurrencë hoteleve në çmim. Nëse preferon hotelin, për 15 ditë duhet të paguash 20000-25000 mijë lekë, ndërsa në banesat private çmimi është më i lirë.

Në Shirokë numërohen 4 hotele dhe 15 bar-restorante ku gatuhen të gjitha llojet e peshqve. Karakteristikë e shërbimit në lokale janë çmimet e lira dhe peshku i freskët, i cili merret i gjallë nga mini-rezervatet që ka çdo lokal. Shiroka laget nga ujërat e liqenit më të madh në Ballkan, gjë që e ka favorizuar këtë zonë të jetë me një ndër eko-sistemet më të pasura për sa i përket florës dhe faunës nënujore.

Sot njihen rreth 1200 studime të autorëve vendas dhe të huaj mbi florën dhe faunën e ujërave, mikrobiologjinë,   hidrogjeologjinë e këtij liqeni. Në zonën e Shirokës janë bërë disa investime serioze. Përpara dy vitesh është sistemuar infrastruktura rrugore falë një fondi prej 65 milionë lekësh të akorduara nga qeveria shqiptare. Ndërkohë, donatorë të huaj kanë financuar për liqenin rreth 6 milionë USD.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA