
Motorët e ujit vijojnë të vënë në rrezik jetën e pushuesve. Paraditen e djeshme një pushuese nga Kukësi është plagosur në plazhin e Velipojës.
39-vjeçarja ka qenë duke qëndruar buzë bregut kur është goditur nga një motor uji, i cili për shkak të shpejtësisë, ka humbur kontrollin duke dalë nga uji dhe ka goditur 39-vjeçaren.
Ajo është dërguar menjëherë për në spitalin rajonal të Shkodrës, ku pasi ka marrë ndihmën e parë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa në lidhje me autorin e ngjarjes, policia nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar për shoqërimin e tij apo për sekuestrimin e motorit të ujit.
Pavarësisht urdhrit të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, për marrjen e masave për të mbajtur sa më larg zonës së plazhit motorët e ujit, këto të fundit vazhdojnë të jenë rrezik serioz për pushuesit në bregdetin shqiptar.
Top Channel