Pensionet, përplasje PS-PD

04/07/2010 16:50

Partia Socialiste i mëshoi fort krizës ekonomike. Deputeti i Fierit Ervin Koçi denoncoi atë që Selia Rozë e konsideron mungesë transparence të qeverisë me shifrat e ekonomisë.

Kurse Sekretari i Këshillit Ekonomik tha se rritja e pensioneve është e pamjaftueshme për disa dhe është zero për disa të tjerë.

“Rritja e pensioneve në këtë kohë krize të ekonomosë familjare është me 20 lekë në ditë. Kanë marrë 0 lekë më shumë, 90 mijë familje me ndihmë ekonomike, këto familje mbahen sote me vetëm 4 mijë lëkë në muaj. Kanë marrë 0 lekë më shumë 60 mijë persona me aftësi të kufizuar të cilët vazhdojnë të mbahen me 8700 lekë në muaj. Detyrimi ligjor është që keta qytetarë duhet të marrin asnjë lek më pak se sa pensioni bazë. Fakti është që sot qeveria u mbana atyre 2 mijë lekë në muaj. Kanë marrë 0 lekë më shumë 10 mijë persona me fonde papunësie të cilët mbyllin muajin me vetëm 6 mijë lekë”, deklaroi në një konferencë për shtyp, Sekretari i Këshillit Ekonomik, Ervin Bushati.

Partia Demokratike përshëndeti rritjen e pensioneve dhe replikoi në distancë me Partinë Socialiste.

“Të ngrihesh sot kundra rritjes së pensioneve do të thotë të heqësh çdo maskë dhe të nxjerrësh fytyrën e vërtetë çnjerëzore para 520 mijë pensionistëve shqiptarë, të cilët dolën nga regjimi i etërve tuaj më skllevër se çdo qytetar tjetër në planet. Të pretendosh se pensionet po rriten duke marrë 70% të kursimeve të shqiptarëve do të thotë të mashtrosh pa u skuqur 70 herë shqiptarët pasi asnjë qindarkë nuk është marrë e nuk merret nga cilado qoftë kredi për rritje rrogash dhe pensionesh nga qeveria aktuale”, deklaroi zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.

Kurse në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Ardit Çela përsëriti ftesën për t’u ulur sa më parë për të rishikuar Kodin Zgjedhor.

Vitin e ardhshëm vendi do të përballet me zgjedhje të reja lokale, por mazhoranca dhe opozita duket se për momentin kanë axhenda të ndryshme politike. Madje opozita, në emër të transparencës, ka paralajmëruar protesta të reja në shtator.

 

Top Channel