Përleshjet në Hamallaj, burg për 3 të arrestuar

04/07/2010 15:45

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës dha masën e arrestit me burg për 4 shtetas të cilët u përfshinë në përleshje me policinë duke plagosur 4 prej tyre.

Për 2 shtetas është dhënë masa e 20 ditëve burg, ndërsa një tjetër përfitoi për shkak të moshës detyrimin për paraqitje në policinë gjyqësore të Rrethit Durrës.

Konflikti i banorëve të Hamalljat me policinë ndodhi mëngjesin e së enjtes pas një aksioni që do të ndërmerrte Policia Ndërtimore për të prishur ndërtimet pa leje në këtë zonë.

Gjyqtari i çështjes, në seancën gjyqësore i ka cilësuar të ligjshme arrestimet e policisë duke konsideruar si prova faktet e sjella nga prokuroria për lënien në burg të 6 prej tyre.

Prokurori i çështjes, Vladimir Mara përshkroi në seancë të gjithë ngjarjen që ndodhi gjatë paradites së enjte kur turma qëlloi me gurë, bomba molotov dhe shkopinj forcat e rendit. Ai u paraqit me të njëjtat akuza që kishte ngritur edhe policia, goditje e një punonjësi të policisë për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, pengim të mjeteve të transportit si dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike. Prokuroria vlerësoi faktin se nga përleshjet u lënduan 4 efektiva të policisë, 3 prej të cilëve ndodhen ende nën terapi në spitalin Ushtarak të Tiranës.

Avokatët e mbrojtjes u përpoqën të heqin përgjegjësinë nga klientët e tyre duke u shpreh se ata kanë qënë të rastësishëm në vendngjarje dhe kanë kërkuar lirimin e tyre në sallën e gjyqit, por kjo në fund të seancës është hedhur poshtë nga gjykata e cili vendosi t’i mbajë në burg sulmuesit e policisë.

Prokuroria kërkoi që të administrohen zyrtarisht në cilësinë e provës materiale edhe pamjet ekzkluzive të xhiruara nga operatori i Top Channel. Të hënën pritet të jepet vendimi edhe për 2 shtetas të tjerë të cilët kanë të njëjtat akuza por që u arrestuan 1 ditë pas ngjarjes.

Top Channel