Hamallaj, banorët në pritje të aksionit të ndërtimorëve

04/07/2010 08:35

Situata në Hamallaj të Sukthit vazhdon të jetë e nderë. Banorët dhe pronarët e ndërtimeve pa leje janë në pritje të asaj që do të ndodhë, ndërsa shpresojnë se ngrirja e procesit të legalizimit do të përfundojë dhe reagimi i tyre i dhunshëm do të vlejë për t’u dhënë të drejtën ashtu si shumë të tjerë të përfshihen në këtë proces.

Një pjesë e mirë e atyre që kanë qenë aktivë në përleshjet me forcat speciale të policisë janë larguar nga fshati për t’u shpëtuar arrestimeve. Të tjerë kanë marrë pjesë në takimin që avokat Spartak Ngjela ka bërë me ta, duke u siguruar mbështetje dhe kërkuar lirimin e të arrestuarve “që i treguan dhëmbët një shteti që cenon pronën dhe nuk zbaton ligjet”.

Ka kaluar një vit nga koha kur në KRRTRSH u miratua “Studimi urbanistik pjesor, në fshatin Hamallaj, të zonës kadastrale 1925, me sipërfaqe 43.69 hektarë, në Bashkinë Sukth me investitorë dy kompani të njohura në fushën e investimeve. Një vit më pas, pretendimet e zbatuesve të projektit, si dhe të dy familjeve që, sipas banorëve të zonës, janë kompensuar në këtë zonë në një sipërfaqe prej 35 hektarësh, kanë shkaktuar një situatë të pazakontë me komunitetit.

Ky i fundit, ashtu si dhe në pjesë të tjera të vendit, ka ndërtuar pa leje dhe pret t’i njihen zyrtarisht objektet dhe sipërfaqet e zaptuara dhe organeve të shtetit. Këto të fundit kanë vendosur të ndërhyjnë për të çliruar territoret e zëna që pretendohet se u përkasin pronarëve dhe janë publike dhe pjesë e investimeve të përfshira në studimin urbanistik të miratuar nga KRRTRSH dhe kryetari i saj, Kryeministri Sali Berisha. Pronarët e objekteve nga ana tjetër janë të vendosur të mbrojnë atë që kanë ndërtuar me mund e djersë nga brezi i pishave dhe tutje në Hamallaj Hidrovor.

Ata pretendojnë se tokat e ndara në bazë të ligjit 7501 janë përditësuar dhe pasqyruar në Zyrën Kadastrale, ndërkohë që ALUIZNI bën të ditur se procesi i legalizimeve në Hamallaj ashtu si dhe në pjesë të tjera të Bashkisë së Sukthit, po dhe njësi të tjera vendore të rrethit bregdetar ka mungesa të hartave hipotekore. Ato që gjenden në Hipotekë janë të vjetra dhe asnjë nga lëvizjet e bëra në 18 vitet e fundit nuk është pasqyruar në to. Investimet për fshatra turistikë dhe natyra e mrekullueshme që ofron zona e kanë kthyer Hamallajn në qendër të vëmendjes, ndërsa fillimi i javës pritet të sjellë zhvillime të reja, pasi pritet që Inspektorati Ndërtimor të kthehet atje.

Këtë herë i vendosur për të realizuar prishjet e planifikuara. Gjendja duket e rëndë dhe për t’u dhënë mbështetje ditën e djeshme në fshat ka qenë kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Ai ka mbështetur banorët protestues që u përleshën me forcat speciale të policisë për të mos lejuar prishjen e objekteve në zonën bregdetare.

Ndërkaq shumë prej tyre Ngjela u ka kërkuar ti marrë në mbrojtje në cilësinë e avokatit dhe jo të politikanit. Nuk kanë munguar deklaratat politike të tij që kanë shkaktuar dhe reagimin e dy banorëve që u shprehën se rasti i tyre nuk ka pse të shfrytëzohet politikisht. Avokat Ngjela doli në mbështetje të atyre që kanë ndërtuar jetën, shtëpinë dhe biznesin e tyre në këtë zonë të bregdetit shqiptar dhe qëndrojnë në pritje të procesit të legalizimit të tyre, ndërkohë që përballen me forcën e treguar nga një shtet që, sipas tij, vetë nuk i njeh dhe as zbaton ligjet.

Në fjalën e vet drejtuar banorëve, Ngjela i ka mbështetur edhe për mënyrën sesi reaguan ndaj forcave të policisë në mbrojtje të ndërtimeve, pronës së tyre. Avokati ka dalë kundër arrestimeve të bëra nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ditën e ngjarjeve dhe një ditë më pas dhe ka kërkuar lirimin e tyre nga dhomat e paraburgimit. Sipas Ngjelës, Kryeministri Berisha nuk pyet për ligje dhe e ka kthyer vendin në një xhungël, ku ligjin e bën interesi i ngushtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB