Dita e Pavarësisë, Berisha uron Obama-n

04/07/2010 14:10

Me rastin e Ditës së Pavarësisë, kryeministri shqiptar Sali Berisha i ka dërguar një telegram urimi presidentit amerikan, Barak Obama.

“Në këtë ditë të shënuar për vendin dhe kombin tuaj ndihemi të lumtur që marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve e popujve tanë miq kanë njohur vetëm zhvillime pozitive dhe janë më të mira se kurrë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin në NATO përbën një demonstrim të shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ngushtë e të frytshëm ndërmjet të dyja vendeve”, nis letrën e tij shefi i kabinetit qeverisës të Tiranës.

Më tej ai vë theksin në vullnetin e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin me Uashintonin. “Populli shqiptar dhe qeveria shqiptare janë thellësisht mirënjohës për ndihmën e asistencën e vazhdueshme e të gjithanshme të SHBA-ve. Kjo ndihmë përbën një kontribut të çmuar që reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare të kenë rezultate pozitive, konkrete dhe të shpejta. Shqipëria do të vazhdojë më tej me vendosmëri në realizimin e reformave të ndërmarra dhe në përmbushjen e objektivave madhore kombëtare të integrimit të plotë euroatlantik, si dhe për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë e të ekonomisë së tregut dhe për përparimin e vendit tim”, shton Berisha.

Kryeministri nuk harroi të përmendte edhe rëndësinë e vendt tonë si një faktor kyc për stabilitetin në rajon. “Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e rëndësishëm e udhëheqës të SHBA-ve për paqen e stabilitetin në rajonin tonë, veçanërisht për njohjen e fuqizimin e shtetit më të ri në rajon, atë të Kosovës, më lejoni t’ju siguroj se vendi im do të mbetet një partner i vendosur dhe konstruktiv, në këtë drejtim”, nenvizon kryeministri shqiptar. Në fund të mesazhit ai i rikujtoi edhe një herë ftesën për të vizituar vendin tonë.
 

Top Channel