Arrestim në Ambasadën e SHBA-së

04/07/2010 14:55

Një punonjës i administratës së Ministrisë së Jashtme është arrestuar nga policia shqiptare pas akuzave për trafik droge. (UPDATE)

Almir Rrapo, 27-vjeç, i cili ka jetuar për një kohë të konsiderueshme në Amerikë, ku edhe ka studiuar, kërkohej  nga zyra e Interpolit në Uashington.

Arrestimi i Almir Rrapos u bë të premten në mesditë në zyrat e Ambasadës Amerikane në Tiranë, gjatë kohës që ai po kërkonte pajisjen me vizë. Rrapo, u prezantua në ambasadë si punonjës i Ministrisë së Jashtme për të marrë një vizë turistike. Ambasada njoftoi shërbimet policiore, të cilat më pas e kanë arrestuar 27 vjeçarin.

Ngjarja është komentuar edhe nga Partia Socialiste. Deputeti Piro Lutaj akuzoi Ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta se e ka kthyer ministrinë në një çerdhe korrupsioni dhe trafiku.

Por Drejtoria e Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, sqaroi se Rrapo është punësuar në stafin teknik të kësaj ministrie në përputhje me të gjitha rregullat dhe normat ligjore në fuqi, pasi nuk ka patur asnjë të dhënë në adresë të tij se kërkohej nga Uashingtoni për trafik droge.

Ministria sqaron se Rrapo nuk është anëtar i Shërbimit Diplomatik. Ministria e Jashtme ka marrë njoftim për arrestimin e tij nga policia e shtetit dhe ka bërë menjëherë lirimin e tij nga detyra.

Top Channel