“Antimafia”, Meçaj: Kufizon të drejtat e njeriut

02/07/2010 19:55

Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese nisi shqyrtimin e ankesës së Komitetit Shqiptar të Helsinkit kundër ligjit të ashtuquajtur “Antimafia”. Vjollca Meçaj, drejtore ekzekutive e këtij institucioni, e ftuar në edicionin e lajmeve të TCH, ka theksuar se ligji edhe pse ka një motiv të mirë, kufizon të drejtat e njeriut.

Ajo theksoi se vënia përpara përgjegjësisë ligjore të kriminelëve mund të bëhet edhe me ligjet aktuale në fuqi.

“Komiteti i Helsinkit mbështet çdo iniciativë për luftimin e krimit të organizuar i cili po prish reputacionin e Shqipërisë në botë. Por Komiteti mendon se ligjet duhet të dalin në përputhje me Kushtetutën dhe të drejtave të njeriut”, është shprehur Meçaj.

“Kufizimi i këtyre të drejtave nuk duhet të kalojë disa limite dhe këtu ishin edhe kundërshtimet tona. Ka shkelje të së drejtës së pronësisë, privatësisë, kompensimit apo ndonjë e drejtë tjetër”, ka thëksuar ajo.

“Nismat që merr qeveria nuk i paragjykoj. Në këto nisma ka një qëllim të mirë për të goditur krimin e organizuar duke goditur pasuritë e tyre. Gjithsesi unë do thosha se duke i mbështetur nisma të tilla qëllimi kryesor duhet të mbetet vënia përpara përgjegjësisë kriminelin. Me ligjet që ekzitojnë, kjo mund të bëhet”, ka shtuar Meçaj.

Top Channel