FMN në Tiranë, për reduktimin e buxhetit

30/06/2010 08:00

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i kryesuar nga Gerwin Bell, do të mbërrijë në Tiranë javën e ardhshme, për të parë nga afër parametrat e rinj të buxhetit 2010.

Burime zyrtare nga të dyja kampet konfirmojnë vizitën, e cila bëhet në kuadër të monitorimit të treguesve makroekonomikë dhe rekomandimeve të lëna në muajin mars të këtij viti.

Sakaq, Kryeministri Sali Berisha pritet të bëjë publik planin e ri të shpenzimeve buxhetore, që përmban ulje me rreth 30 miliardë lekë, si dhe propozimin e paketës për rritjen e pagave dhe pensioneve. Për të dyja këto çështje FMN ka shprehur qëndrimet e saj, që bien kundër me vullnetin e qeverisë.

E para lidhet me shpenzimet buxhetore, që Ministria e Financave planifikon t’i reduktojë me të paktën 30 miliardë lekë, duke synuar uljen e deficitit buxhetor. Për FMN-në kjo masë reduktimi nuk mjafton. “Me gjithë shkurtimet domethënëse në buxhetin e 2010-s, të propozuara në kuadrin e ri makroekonomik afatmesëm të qeverisë, rreth 30 miliardë lekë ose 2.5 për qind e PBB-së, prirjet aktuale të të ardhurave nënkuptojnë një deficit prej 5.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Rishikimi i buxhetit në muajt e ardhshëm duhet të synojë të ulë deficitin në rreth 3 për qind të PBB-së”, rekomandon FMN. Me këtë variant i bie që buxheti 2010 të reduktohet edhe me 10 miliardë lekë të tjera. Nga Ministria e Financave bëhet me dije se po shikohet mundësia e shkurtimeve më të larta se plani 30 miliardësh, megjithatë, çdo vendim i përket politikës.

Tjetër “përplasje” ka të bëjë me rritjen e pagave dhe pensioneve. Kryeministri ka premtuar një rritje në masën 10-14 për qind, faturë e cila shkon deri në 50 milionë euro. FMN gjykon një rritje më të matur të pagave dhe pensioneve, brenda kufirit të inflacionit. “Shpenzimet korente të rishikohen me synimin për të optimizuar shërbimin civil dhe për të mbajtur pagat dhe pensionet nën kontroll. Këtë situatë mund ta ndihmonte indeksimi i këtyre të fundit vetëm me inflacionin”, thotë FMN, duke rekomanduar rritjen e tyre në bazë të nivelit të inflacionit që është sot, rreth 3 për qind. Në fakt, ky variant ishte njëri skenar i Ministrisë së Financave, por që u rrëzua poshtë nga kabineti i Kryeministrit.

Borxhi do të jetë pjesë e diskutimeve mes misionit të FMN-së dhe ekipit shqiptar, i përbërë nga ministri i Financave dhe guvernatori, të mbështetur nga Kryeministri i vendit. Niveli aktual i borxhit konsiderohet i lartë për FMN-në, që rekomandon uljen e tij në nivel 50 për qind të PBB-së brenda vitit 2013, nga 60 për qind që është sot. Në këtë pikë, Ministria e Financave po punon për reduktimin e borxhit, duke skenuar variante të reja, që e kushtëzojnë me ligj.

Gazeta mëson se në axhendën e FMN-së do të jenë edhe sektorët e tjerë, jo pak të rëndësishëm, si pjesa monetare e bankave, sistemi i statistikave, apo energjia elektrike. Kujtojmë se në deklaratën e fundit të muajit mars, FMN vinte në dyshim rezultatin e privatizimeve, duke marrë shkas nga situatat me ndërmarrjet aktuale të shitura, si ARMO dhe OSSH.
 

Borxhi do të jetë pjesë e diskutimeve mes misionit të FMN-së dhe ekipit shqiptar, i përbërë nga kreu i Financave dhe guvernatori.

Top Channel