ACT: Do asistojmë TCH në shkallët e gjykimit

30/06/2010 21:20

Edhe Shoqëria e Televizioneve Komerciale në Europë, një organizëm që mbledh në vete shumicën dërrmuese të rrjeteve të mëdha televizive, ka dënuar ashpër vendimin e gjyqtarit Agim Bendo për gjobën ndaj Top Channel dhe goditjen e gazetarisë investigative.

“Ajo cka duhet bërë është që të shqyrtohet rasti sipas standarteve europiane. Në këndvështrimin tim, nëse një gjë e tillë do të kishte cënuar këdo tjetër në Europë, gazetari do të mbronte që ky regjistrim ishte e vetmja mënyrë për të patur ngjarjen dhe se ishte në interes të publikut që të njihej me të. Është mëse e qartë që ishte e vetmja mënyre nga pikëpamja e Brukselit e që publiku shqiptar duhet të vihej në dijeni të kësaj historie”, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i shoqërisë, Ros Bigam.

Ai e ka cilësuar si befasuese gjobën e vendosur nga gjykata dhe ka shprehur shpresën e tij që gjykata e Apelit ta anulojë atë.

“Ne u befasuam kur dëgjuam vendimin e gjykatës. Ne kuptojme që duhet të ketë apelim të vendimit dhe une pres që Apeli në Shqipëri do ta kthejë atë mbrapsht”, ka pohuar Bigam.

Ai ka theksuar se kjo shoqëri do të asistojë nëse është e nevojshme Top Channel për ta fituar gjyqin në Strasburg.

“Nëse jo, është e sigurtë që do të ishte hedhur poshtë nëse cështja do të apelohej në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Sigurisht që për Strasburgun, përsa i takon rastit të Top-Channel, sikundër dhe ndaj cfarëdolloj transmetuesi tjetër shqiptar që do të ndodhej në situatë të ngjashme, ne do të jemi gati për t’i asistuar ata”, ka theksuar Bigam.

Sipas tij, mbështetje Top Channel ka edhe nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, si dhe nga zyra e OSBE-së në Vjenë.

“E di që Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve janë në dijeni dhe ju mbështesin, sikundër shumë organizata të tjera europiane të mediave, apo OSBE me qendër në Vjenë. Pra, ka shumë vullnet të mirë nga Europa ndaj apelit në Shqipëri”, ka nënvizuar Bigam.

Ai ka shtuar më tej se edhe institucionet shqiptare, pavarësisht se Shqipëria nuk është ende anëtare e BE-së, duhet të respektojë standartet evropiane që parashikojnë lirinë e mediave.

“Ne e dimë që edhe vendet që nuk janë ende pjesë e Bashkimit Europian, janë pjesë e procesit europian dhe duhet të pranojnë standartet europiane të Këshillit të Europës dhe të procesit anëtarësues ne BE. Sigurisht që përsa na takon neve në Bruksel, këtë cështje do ta përcjellim mire në vëmendjen e autoriteteve europiane sepse është një rast serioz i fyerjes së të drejtave të gazetarëve dhe transmetueseve për të bërë punën e tyre”, ka shtuar Bigam.

Top Channel