Në shkolla të mos mungojë Fishta dhe Kadare

24/06/2010 09:15

Kryeministri kërkoi që në bibliotekat shqiptare të përfshihet një numër më i gjerë i veprave të autorëve shqiptarë, si Fishta dhe Kadare.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha ngriti shqetësimin mbi librat që renditen aktualisht në bibliotekat e të gjitha shkollave në vend.

Sipas tij, kjo problematikë do të marrë zgjidhjen e duhur vetëm pasi literaturës artistike dhe asaj të përgjithshme, t’i shtohen autorë si Ismail Kadare, Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci.

“Dua të sjell në vëmendje të ministrit të Arsimit, problemin e bibliotekave të shkollave. Ne japim një fond të përvitshëm për to, por ende nuk mund të themi se ato janë ndërtuar mbi bazën e parimeve që duhet të ndërtohen. Mendoj, që në bibliotekat e shkollave tona është jetike dhe e domosdoshme që të gjenden veprat e korifenjve të letrave shqipe, të rilindësve, por edhe të Ismail Kadaresë”, tha Berisha.

Sipas tij, në radhën e librave nuk duhen lënë pa përfshirë edhe bashkëkohës të tjerë si Fatos Kongoli apo vepra të shkrimtarëve shqiptarë, që kanë fituar një publik të gjerë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit.

“Veprat e Kadaresë duhet të gjenden në të gjitha bibliotekat e shkollave. Nuk mund të bëhet fjalë për lirikë dhe të mos gjendet Lasgush Poradeci, i cili është një Robert Burns i vërtetë për shqiptarët. Nuk mund të bëhet fjalë për epikën dhe të mos jetë Gjergj Fishta, kolos europian dhe botëror i kësaj gjinie”, theksoi Kryeministri.

Ai pohoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rinjtë shqiptarë të kenë në duar përkthimet e mëdha të autorëve të njohur, në të cilat spikat mënyra e mahnitshme krijuese e tyre.

“Nuk mund të mos jenë përkthimet e Nolit, ku në pasazhe të tëra del më Shekspir sesa Shekspiri”, sqaroi kreu i shtetit.

Sipas Berishës, kjo betejë duhet të vazhdojë gjatë, deri në momentin kur libri të udhëheqë të gjithë procesin e pasurimit të gjuhës tonë.

Top Channel