Kriza, PS akuzon Berishën

20/06/2010 16:45

Partia Socialiste ka vazhduar me këmbëngulje të bëjë përgjegjës kryeministrin Sali Berisha për mosarritjen e merrëveshjes për hetimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe për refuzimin siç thonë socialistët të ofertës së ndërmjetësuesve nga Parlamenti Europian.

Duke i bërë thirrje për reflektim kryeministrit Berisha, Partia Socialiste tha se nuk hiqte dorë nga kërkesa e saj për transparencë.

“Prononcimet e shpeshta e thuajse të përditshme të përfaqësuesve të BE tregojnë qartë se kriza është prezente, se BE është e shqetësuar dhe se përgjegjësi që nuk pranon propozimin për hapa kompromisi është Sali Berisha. Veprimi kokëfortë i Sali Berishes  për të ruajtur pushtetin e tij personal po penalizon tërë shqiptarët dhe integrimin e vendit. Ai është përgjegjësi për mosarritjen e kompromisit dhe transparencës në tërësi aq e domosdoshme e jetike për realitetin shqiptar”, deklaroi depoteti socialist, Besnik Bare.

Por për Lëvizjen Socialiste për Integrim, deklaratat se njëra palë ka pranuar dhe tjetra ka refuzuar janë spekulative dhe nuk çojnë drejt zgjidhjes. LSI-ja, e cila kërkoi mbledhjen e tryezës së forcave politike për nisjen e reformës zgjedhore, theksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës në çdo marrëveshje.

“Është jo vetëm i pavend por edhe i dëmshëm qëndrimi intolerant dhe mungesa e vullnetit për të krijuar hapësirat e bashkëpunimit që të çojnë në një kompromis. Natyrisht që hapësirat për kompromis janë, por që t’i shohim këto hapësira duhet të kuptojmë se në një shtet demokratik dhe ligjor çdo gjë fillon dhe mbaron me respektimin e Kushtetutës” dha në një konferencë për shtyp Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

 

Top Channel