
Ka tentuar të qëllojë me çifte dy efektiva të patrullës së policisë rrugore, pranga një 37-vjeçari nga rrethi i Fierit.
Policia ka nisur punën për gjetjen e armës së gjahut, me të cilën autori tentoi të qëllojë mbi uniformat blu, ndërkohë që ka deklaruar se ishte i dehur dhe çdo gjë ka ndodhur nën efektet e alkoolit.
Ngjarja është shënuar mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor Fier–Ballsh në vendin e quajtur “Reparti ushtarak”, pranë ofiçinës së vjetër Patos. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se 37-vjeçari Genci Hasanaj, banues në fshatin Margëlliç të Patosit, rrethi Fier, ka qenë duke u kthyer nga një gëzim familjar së bashku me të afërmit e tij kur ka ndaluar pranë “Repartit ushtarak”.
Të njëjtat burime saktësojnë se 37-vjeçari ka pasur me vete edhe një armë gjahu, të cilën ende nuk dihet nëse e ka me leje apo jo. Mësohet se Genci Hasanaj ka ndaluar dhe zbritur nga makina, duke qëlluar tabelat sinjalistike të këtij aksi rrugor. Pasi ka shtënë disa herë në drejtim të tabelave, dy policët e qarkullimit rrugor, të cilët ishin me shërbim në aksin rrugor që lidh Patosin me Ballshin, i kanë shkuar drejt Hasanajt. Ata i kanë kërkuar të mos vijonte më, pasi rrezikoheshin jo vetëm të afërmit e tij, por edhe drejtuesit e mjeteve të rastësishme që përshkonin aksin Fier-Ballsh në atë orar.
Në momentin e ndërhyrjes së punonjësve të policisë së shërbimit të qarkullimit rrugor në Komisariatin e Policisë Fier, ai u ka drejtuar armën dy prej tyre. E menjëhershme ka qenë ndërhyrja e të afërmit të tij Arif Sano, që ka devijuar armën e gjahut. Për pasojë arma është shkrehur në ajër dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Pas këtij momenti, duke ia hequr armën nga duart, Sano ua ka dhënë atë të afërmve të tjerë që ishin në automjet, të cilët janë larguar menjëherë.
Më pas është njoftuar Komisariati i Fierit dhe uniformat blu kanë shkuar në drejtim të banesës së 37-vjeçarit. Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të Genci Hasanajt, i cili në momentin e kryerjes së kësaj vepre penale është konstatuar se kishte konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli. Policia ka nisur punën për gjetjen e armës së gjahut, ndërkohë që ndaj 37-vjeçarit është ngritur akuza e “vrasjes së mbetur në tentativë”.
Gjatë marrjes në pyetje në ambientet e komisariatit, Genci Hasanaj ka pranuar përpara uniformave blu se ka gjuajtur me armën e gjahut. Mësohet se ai ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim të qëllojë mbi policinë dhe se drejtimi i armës ishte thjesht instinkt pas tërheqjes së vëmendjes së tyre për të mos qëlluar në drejtim të tabelave të sinjalistikës. “Kishim ardhur në qejf se ishim në një drekë dhe kemi pirë shumë alkool. Nuk kam pasur qëllim të vras asnjë”, mësohet të ketë thënë 37-vjeçari në polici. Tashmë ai ka vetëm një akuzë, atë të “vrasjes së mbetur në tentativë”, por nëse arma e gjahut gjendet dhe rezulton pa leje, atëherë mbi të do të rëndojë edhe akuza e “armëmbajtjes pa leje”.
Top Channel