Topi: Kujdes ekosistemin

19/06/2010 19:00

Gjatë pjesmarrjes në konferencën ndërkombëtare, “Liqeni i Shkodrës, gjendja dhe prespektiva”, që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi, presidenti Bamir Topi vuri theksin në rëndësinë e trajtimit me kujdes të pasurive natyrore.

Duke folur përpara studiuesve ai kërkoi që burimet natyrore të shfrytëzohen dhe mirëmbahen duke bërë edhe një punë parandaluese në mënyrë që mos të gjendemi përballë situatave të pakëndshme.

Presidenti tha se “rritja e nivelit të Liqenit të Shkodrës dhe Lumit të Bunës mbi kuotat normale, solli përmbytje në dy anët e kufirit”.

“Ky ishte një sinjal i fortë për vendet tona, që pasurinë natyrore që na ka falur bujarisht fati të dimë t’i përdorim e t’i shfrytëzojmë me kujdesin dhe vëmendjen e duhur”, theksoi Topi.

Ai shtoi se ndryshimet e konsiderueshme të mikroklimës së rajonit të ndikuara nga ato globale, shtrojnë nevojën që të rikonsiderohen mënyrat e shfrytëzimit, por edhe masat mbrojtëse si të liqenit ashtu dhe të pellgut ujëmbledhës të Shkodrës, që si nyje hidrologjike është e veçantë dhe sjell sfida për studiuesit.

“Koha për shfrytëzime pa kriter, për ndotje të mjedisit, për zgjidhje të çastit, duhet të marrë fund”, tha presidenti.

Në përfundim u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit në fushën e mjedisit nga dy ministrat respektivë të Mjedisit, zotit Fatmir Mediu dhe zotit Branimir Gvozdenoviç në prani të presidentit Topi dhe presidentit Vujanoviç.

Top Channel