PE dorëzohet: Nisma jonë dështoi

16/06/2010 19:35

Dështon iniciativa e Parlamentit Europian për zgjidhjen e ngërcit politik në Shqipëri. Ashtu sic u lajmërua javën e kaluar në TCH, Joseph Daul dhe Martin Schultz kanë publikuar një komunikatë të përbashkët për shtyp, ku lajmërojnë se përfundoi afati kohor i bisedimeve me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.

“Na vjen sinqerisht keq që qeveria shqiptare dhe opozita nuk mundën të kapërcejnë diferencat mes tyre, duke mos qenë kështu në gjëndje për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm të domosdoshëm për të arritur ambicjet europiane të vendit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Dy liderët e grupimeve kryesore të Parlamentit Europian shprehen se tashmë integrimi i vendit është në duart e qeverisë dhe opozitës, të cilat duhet të përmbushin kriteret e Kopenhagenit.

“Ne vazhdojme të mbështesim rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian sipas kritereve të Kopenhagenit, sikundër dhe kritereve të përcaktuara në konkluzionet e Këshillit Europian të dhjetorit 2006, mbi konsensusin e ripërtërirë për zgjerimin. Në këtë kontekst, ne shpresojmë që lidershipi politik shqiptar kupton mirë se kapërcimi i kundërshtimeve aktuale politike është kyce për përparimin e vendit në integrimin europian dhe për promovimin e aspiratave europiane të qytetarëve shqiptare”, thuhet në komunikatë.

Europarlamentarët kanë përfshire dhe konkluzionet e Këshillit të BE-së në deklaratën e përbashkët.

“Ne theksojmë, së bashku me Këshillin, se është përgjegjësi e qeverisë së Shqiperisë, së bashku me opozitën për të gjetur sic duhet, në mënyrë transparente e në respekt të plotë me Kushtetutën shqiptare, zgjidhjet ndaj ngërcit aktual dhe mënyrat e përparuara të cilat do t’i nevojiten vendit në rrugën drejt BE-së”, shprehen Daul dhe Schultz.

Në përfundim të letrës së përbashkët, Daul dhe Schultz u shtrojnë kërkesat e fundit palëve respektive në Tiranë.

“Ne i kërkojmë opozitës shqiptare të qëndrojë në Parlament e të vazhdojë punën e saj. Në të njëjtën kohë, ne presim që qeveria të punojë së bashku me opozitën për synimin e një reforme të sistemit zgjedhor dhe procedurave parlamentare”, thuhet më tej në komunikatë.

Megjithëse me tone më të buta se letra e 19 majit dhe pa kërcënime të hapura, BE braktis kështu përpjekjet lehtësuese duke lënë Shqipërine në fatin e saj.

Top Channel