Vlorë, ndotet zona e Ujit të Ftohtë

14/06/2010 08:35

Ndotet nga inertet bregdeti i Vlorës. Prej dy ditësh, mjetet e tonazhit të rëndë të disa firmave private kanë shkarkuar mbeturina të ngurta në plazhet publike të Vlorës.

Mbrëmjen e së shtunës, në zonën e Ujit të Ftohtë, dhe pikërisht në afërsi të Jonufrës, është formuar një pirg gjigand me mbetje inerte, që janë nxjerrë nga hapja e themeleve të një ndërtese që po ngrihet në afërsi të Ujit të Ftohtë.

Nuk ka mjaftuar vetëm zona e Pyllit të Sodës, që tashmë është kthyer në një varrezë gjigante të mbeturinave të gjithfarëllojshme, por papërgjegjshmëria e firmave po ndot dhe zonën e Ujit të Ftohtë, një nga më të frekuentuarat prej pushuesve. Ndërkohë, në breg uji i detit ka marrë ngjyrë të kuqe nga hapja e gropës mbi të cilën do hidhen themelet e ndërtesës.

Ajo është rrethuar me një gardh, ku shkruhet “Pronë private”. Sipas një banori të zonës, disa makina të tonazhit të rëndë kanë shkarkuar dhera gjatë gjithë natës, jo vetëm në det, por dhe në zonën e fshatit, e cila ndodhet mbi këtë territor.

“Tashmë kjo zonë është pushtuar nga dherat dhe nuk mund të quhet më ‘gjiri i kaltër’, siç njihej për shkak të kaltërsisë së ujit dhe rërës e pastër. Kjo zonë tani është ndotur dhe plazhi është mbushur me mbeturina inerte”, thotë një banor i zonës për “Shqip”. Fenomene të tilla kanë ndodhur dhe vite të shkuara përgjatë bregdetit të Radhimës, ku herë pas here “mbinin” pirgje mbeturinash, ndërkohë që pronarët e lokaleve zgjeronin hapësirat në det, duke krijuar mini-mole.

Megjithëse këta persona të papërgjegjshëm shkatërronin çdo ditë vijën bregdetare, nuk u mor asnjëherë ndonjë masë nga policia bashkiake apo institucionet e tjera shtetërore që mund ta ndalnin shkatërrimin e bregdetit.

Top Channel