Elbasan, ndotje nga djegia e mbeturinave

14/06/2010 20:15

Që prej ditës së diel, Elbasani është mbuluar nga re të dendura tymi nga djegia e mbeturinave të qytetit.

Zjarri mendohet të jetë ndezur nga persona që mbledhin mbeturina të riciklueshme. Ndërhyrja me makineri të rënda nuk e ka shuar zjarrin që po përhap tym në gjithë qytetin.

“Kjo është fushatë e grumbullimit të mbetjeve urbane. Ka një destinacion të tillë që prej 82-shit, por që duhet të transferohet pasi nuk përmbush kriteret”, deklaron Bujar Kapaj, drejtor i sektorit të Zhvillimit të Territorit Urban në bashki.

Vendgrumbullimi i plehrave ka fazën emergjente pasi është tejmbushur dhe nuk plotëson më kriteret tekniko-teknologjike.

“Duhet marrë përgjigje përfundimtare për landfillin. Është një strategji për 12 qarqe të Republikës, por Elbasani ka emergjencën më të madhe”, shprehet Adi Madhi, drejtor i Agjencisë së Mjedisit në qarkun Elbasan.

Elbasani renditet i pari në listën e zezë përsa i përket ndotjes së mjedisit, pasi përvec mbeturinave edhe industria e rëndë vazhon të jetë një faktor kryesor.

Top Channel