Berisha sulmon PS: Po pengon integrimin

12/06/2010 15:30

Një shkollë e mesme e re e ka cuar kryeministrin Berisha në Udënisht të Pogradecit. Investimi kap vlerën e 26 milionë lekëve, por përurimi është një rast i mirë për të folur për premtimet e qeverisë.

“Në tre vjet, ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha shkollat e këtij vendi, që fëmijët shqiptarë të ulen në klasa moderne, njëlloj si bashkëmoshatarët  e tyre në mbarë Europën”, tha Berisha.
 
Kryeministri foli për investime të tjera në Pogradec, të cilat sipas tij do t’i japin qytetit bumin e madh turistik që meriton. Kryeministri Berisha foli edhe për politikë. Ai akuzoi opozitën se bëri cdo gjë për të nxirë të vërtetën që sic tha kryeministri “shndrit dhe do të shndrisë gjithmonë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

“Bojkotuan parlamentin vetëm  e vetëm që BE-ja të mos hapte negociatat për statusin e kandidatit. Dhe tani së fundi, si karnavalë të vërtetë ngritën çadrat para kryeministrisë dhe parlamentit dhe nisën të ashtuquajturën grevë qesharake, vetëm e vetëm për të bllokuar vendimin për liberalizimin  e vizave. E keqja e qytetarëve shqiptarë, e keqja fëmijëve shqiptarë është e mira  e bllokmenëve të rinj”, tha Berisha.
 
Për të përfunduar me një thirrje për bashkimin e qytetarëve të të gjitha bindjeve, në projektin e Shqipërisë europiane. Një thirrje që kujton atë të kundërshtarit të tij Rama për një bashkim përtej së majtës dhe të djathtës.

Top Channel